TIRANE, 25 Janar/ATSH/- Iniciativa e Qeverisë kineze “Një brez , një rrugë”, gjatë vitit 2017 do të jetë e fokusuar tek media dhe mundësitë për të rritur komunikimin në këtë fushë në kuadër të projektit 16 + 1 për vendet e Europës Juglindore.
Për të identifikuar mundësitë që ofron ky bashkëpunim dhe oportunitetet që ka, ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Jiang Yu priti sot në një takim të veçantë Drejtorin e Përgjithshëm të ATSH-së, Gëzim Podgorica.
Zoti Podgorica duke e falenderuar zonjën Jiang Yu për pritjen, e uroi njëkohësisht edhe për Vitin e Ri kinez i cili këtë vit festohet me 28 janar, mbështetur mbi kalendarin tradicional kinez. Këto festime tregojnë edhe për traditat shumë të pasura dhe të lashta, si dhe dëshmojnë për pasurinë shumë dimensionale kulturore të popullit kinez .
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën më tej në bashkëpunimin që ka Agjencia Telegrafike Shqiptare me agjencinë kineze të lajmeve, Xinhua si dhe me seksionin shqip të radios së jashtme të Kinës ( CRI ).
Zoti Podgorica duke four për mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi, nënvizoi faktin se gjatë këtij viti që Qeveria e Republikës Popullore të Kinës me projektin “Një brez, një rrugë” i ka dhënë një vëmendje të shtuar rolit dhe funksionit të medias , janë të gjitha mundësitë që komunikimi të rritet dhe ATSH të jetë pjesë e projekteve konkrete dhe të rëndësishme të cilat bëjnë të mundur që dy agjencitë, po edhe media të tjera me të cilat jemi në komunikim, të sjellin më afër interesat e publikut dhe realitetet në zhvillim të dy vendeve.
Komunikimit shumë të mirë politik , – tha ndër të tjera zoti Podgorica, duhet t ‘i përgjigjet edhe një komunikim mediatik më intensiv dhe më i gjërë. Kohët e fundit është rritur ndjeshëm shkëmbimi i informacionit me CRI , megjithatë publiku i te dy vendeve ka nevojë për më shumë informacion në të gjitha fushat.
Duke u ndalur në mundësitë e bashkëpunimit, drejtori i ATSH-së shprehu mendimin se ato janë të gjëra dhe të mëdha, duhet jo vetëm vullnet i cili ekziston, por edhe një koordinim më i mirë i komunikimit për të sjellë në kohë dhe në shumë plane informacionet që të dy vendet mund të shkëmbejnë.
Nga ana e saj, ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës Jiang Yu, falenderoi bashkëbiseduesin për komunikimin e hapur dhe vlerësoi ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit midis institucioneve dhe mediave shqiptare me mediat kineze. Në mars të këtij viti, tha zonja Jiang Yu, do të nënshkruhet edhe marrëveshja midis CRI dhe ATSH , marrëveshje që tregon se bashkëpunimi midis institucioneve mediatike shqiptare dhe kineze është në rrugë të mbarë.
Vitin e kaluar , theksoi më tej ambasadorja, janë nënshkruar 8 marrëveshje bashkëpunimi midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë, gjë që tregon për një vullnet mjaft pozitiv të dy vendeve tona. Marrëveshja që pritet të nënshkruhet midis ATSH dhe CRI në Tiranë është një tjetër rast i konfirmimit të këtij vullneti pozitiv. Ne e vlerësojmë punën dhe rolin e institucionit tuaj, tha në vazhdim ambasadorja Jiang Yu, pasi ATSH është një referencë serioze mediatike dhe një dritare e hapur komunikimi.
CRI jep në mënyrë të vazhdueshme lajme nga Shqipëria të cilat kanë burim ATSH-në dhe kjo bën të mundur që përmes radios së jashtme të Kinës të krijohet një dritare komunikimi për popullin kinez.
Unë mendoj, vijoi më tej zonja Jiang Yu se duke dhënë një informacion të zgjeruar e konkret për mundësitë që ofron Shqipëria në fushën e biznesit dhe të turizmit, tërhiqet vëmendja e investitorëve kinezë për të qënë prezent në Shqipëri, ndaj bashkëpunimi dhe roli juaj në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm.
Duke folur për historinë e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë dhe komunikimin e tanishëm, ambasadorja Jiang Yu, vuri në dukje faktin se ato janë shumë pozitive, të ngrohta e me interes reciprok dhe Kina do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha fushat, me synim që ajo të ecë me ritmin e duhur e tí përgjigjet sa më mirë sfidave të integrimit europian.
/a.g/