Presheve, 10 janar -Ne Shoqatat me prejardhje nga trojet etnike nën Mal të Zi me veprimtari në SHBA, reagojmë dhe protestojmë ashpër kundër arrestimit arbitrar të ish komandantit të UÇK-së , dhe luftëtarit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ish kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”
Z. Haradinaj u arrestua me 4 Janar të këtij viti nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit me rastin e udhëtimit të tij zyrtar drejt Washington DC, ku ishte i ftuar për të marrur pjesë në ceremoninë inaugurimit të presidentit të SHBA-ve. Ky arrestim u bë sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia, rreth 12 viteve më parë.
Ne vlerësojmë dhe konstatojmë se akti i arrestimit të z. Haradinaj nga ana e autoriteteve franceze, është një akt i pakuptimtë, i pajustifikueshëm dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës për ish- Jugosllavinë̈, (ICTY) me seli në Hagë, e cila e shpalli të pafajshëm z. Haradinaj, dy herë me radhë ( 2008 dhe 2012), për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.
Andaj edhe “akuza” e Beogradit zyrtar dhe i ashtuquajtur urdhër-arresti ndaj tij, është i pavlefshëm dhe manipulim i Serbisë me Interpolin dhe boten demokratike dhe ka për qëllim vetëm që të diskreditojë figurën e ish komandantit të UÇK-së dhe në këtë mënyrë të diskreditojë luftën e shumë luftëtarëve të tjerë shqiptarë të Kosovës të cilët rrokën armët gjatë konfliktit në Kosovë të viteve 1998/99 dhe u ngritën për të mbrojtur popullin e vet nga dhuna dhe masakrat e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë.
Por, ashtu si edhe herët e mëparshme as kësaj radhe Serbia nuk do t’ja arrijë qëllimit dhe do të dështojë në veprimet e saja për pengesën e lëvizjes së lirë të liderëve të Kosovës, përkatësisht të z. Haradinaj.
Me keqardhje themi se edhe pas 17 viteve të përfundimit të luftës në Kosovë, Serbia gjithnjë e ka vështirë ta pranojë të kaluarën e saj të dhunshme dhe që të gjykojë krimet e udhëheqjes së vet politike, që ajo ka bërë gjatë viteve “90-ta të shekullit të kaluar ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë, duke përfshirë edhe Kosovën.
I bëjmë thirrje autoriteteve franceze që mos të bijnë pre e politikës destruktive ,regresive dhe destabilizuese të qarqeve të caktuara politike të Serbisë, por që menjëherë të veprojë drejtë dhe të angazhohet në lirimin e z. Ramush Haradinaj !
New York
10 Janar 2017
Shoqatat: Malesia e Madhe New York . Shoqata Plave e Guci , Shoqata Ana Malit ,Shoqata Malesia e Madhe E Detroitit ,Shoqata Kraja , Shoqata Dom Simone Filipaj