![shkollaBujanoc11](http://www.preshevajone.com/wp-content/uploads/2012/09/shkollaBujanoc11-300x194.jpg)
Bujanoc, 3 shtator – Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Luginë të Preshevës filloi beteja e re e fitimit të diturisë. Për 14 mijë e 620 nxënës shqiptarë të Luginës ka filluar të hënën, procesi mësimor në vitin e ri shkollor 2012-2013.
Por më së shumti rënies së ziles nëpër shkolla iu janë gëzuar të gjithë, e në veçanti fatosat e rinj që hynë për herë të parë në derën e shkollës, të fillojnë rrugën e shkronjave dhe mbase edhe atyre do t`u buzëqesh fati që këtë vit shkollor ta fillojnë me Abetaren mbarëkombëtare.
![Zejni Fejzullahu](http://www.preshevajone.com/wp-content/uploads/2012/09/Zejni-Fejzullahu-300x232.jpg)
Fejzullahu, duke iu përgjigjur pyetjes së “Presheva Jone”, se me cilën Abetare do të mësojnë nxënësit e klasave të para të Luginës, do të thotë Abetares së miratuar nga Ministria e Arsimit për të cilën ka dhënë lejen e përdorimit, apo me Abetaren mbarëkombëtare theksoi: “Për herë të parë Abetarja në shkollat fillore të Luginës është përdorë vitin e kaluar. Shpresoj se mësuesit dhe nxënësit kanë qenë të kënaqur. Disa vërejtje në Abetare i kemi pasur të gjithë, por megjithatë sjellja e Abetares nga Shqipëria ka qenë një hap i madh në thyerjen e barrierave politike, është hapë një kaptinë e re e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe sjelljes edhe të teksteve tjera nga Republika e Shqipërisë”.
“Me arritjen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kosovës për botimin e Abetares mbarëkombëtare, janë krijuar mundësitë që e njëjta kryevepër kombëtare të përdoret edhe ne te gjitha trojet shqiptare”, theksoi Fejzullahu, duke shtuar se “dua të ceki se më 23. 8.2012 është dërguar shkresë në Ministrinë e Arsimit për lejimin e përdorimit të saj edhe në shkollat tona dhe shpresojmë që ministri sa më parë të lejojë përdorimin e Abetares mbarëkombëtare, ashtu që edhe ajo të ketë leje përdorimi siç kanë shumë tekste tjera”.
Ndërkaq, prefekti i Bujanocit, Nagip Arifi, të hënën, të hënën, uroi nxënësit e të gjitha shkollave që të kenë një vit të mbarë shkollor. Arifi, uroi gjithashtu, përveç nxënësve edhe mësimdhënësit, prindërit dhe drejtues të gjitha institucioneve arsimore të komunës së Bujanocit, duke iu drejtuar se po e filloni vitin e ri të punës suaj të palodhshme për mësim e dituri, duke i sugjeruar që ta fillojnë dhe ta mbarojnë suksesshëm.
Duke iu drejtuar nxënësve Arifi, theksoi: “Dëshiroj që këtë vit ta filloni duke e vazhduar me suksese dhe ta përfundoni, po ashtu suksesshëm që më në fund t`i gëzoni prindërit tuaj për suksesin e arritur”.
“Aty ku përfunduat në qershor një vit shkollor me plot suksese dhe rezultate, tani po e filloni edhe njëherë vazhdimin e rrugës suaj për begatimin e qenies njerëzore me aftësi dhe dije në shërbim të komunës së Bujanocit”, theksoi Arifi, në vazhdim të mesazhit të tij, duke shtuar se “të gjithë Juve iu përgëzoj për angazhimin dhe vetëmohimin që u pret gjatë vitit në vijim dhe ju premtoj se do të keni përkrahjen time dhe të gjitha institucioneve përkatëse të Komunës së Bujanocit”.
![shkollaBujanocnxSqhioptr](http://www.preshevajone.com/wp-content/uploads/2012/09/shkollaBujanocnxSqhioptr-300x202.jpg)
Sa i përket përgatitjeve teknike në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës është bërë e gjithë përgatitja e nevojshme me ndonjë përjashtim të vogël ku është dashur të bëheshin rinovime më se të domosdoshme si në Preshevë, po ashtu edhe në Bujanoc, për fillimin e mbarë të vitit shkollor. Edhe këtë vit, në shkollat me mësim në gjuhën shqipe do të mësohet pothuajse me tekste të mëparshme me ndonjë përjashtim ku është ndërruar plan-programi mësimor dhe lypset që t`i bëhet një analizë më e thuktë për gjetjen dhe sigurimin e teksteve më adekuate për mbarëvajtjen e mësimit më të suksesshëm.
“Shpresojmë se gjatë vitit 2013 të sigurojmë edhe 27 tekste, prej të cilave 18 prej tyre “problematike” për shtetin ku jetojmë. Deri në fund të vitit 2012 presim të sigurohen tekste për 56 lëndë mësimore”, thekson Fejzullahu, duke u shprehur se “edhe pse personalisht nuk jam i kënaqur me këto të arritura, puna e Komisionit për Arsim, mendoj se ka merita në disa segmente, ndonëse besoj se mundemi më tepër”.