Në një sondazh të institutit “YouGov”, shumica e gjermanëve janë shprehur për zgjatjen e masave të kufizimit përtej datës 19 prill. Të mërkurën vendoset për lirimin apo vazhdimin e kufizimeve.
Gjermanët janë kundër lirimit të masës për ndalimin e kontaktit në luftë kundër pandemisë. Në një sondazh të institutit “YouGov”, me porosi të agjencisë gjermane të lajmeve “Dpa”, 44% e gjermanëve të intervistuiar duan zgjatjen e masave të kufizimit përtej datës 19 prill, dhe madje 12% e të anketuarve kërkojnë ashpërsimin e tyre. Vetëm 32% janë për lirimin e masave dhe 8% për heqjen e plotë të tyre.
Të mërkurën e kësaj jave, kancelarja Merkel dhe kryeministrat e landeve pritet të konsultohen për mënyrën e veprimit përtej 19 prillit. Në shumicën e landeve gjermane, qytetarët mund të lëvizin të lirë jashtë, por vetëm nga dy vetë. Grupe të vogla lejohen jashtë vetëm me personat që banojnë së bashku në një familje.
Ndërkohë në Gjermani sipas të dhënave të institutit “Robert Koch”, numri i infeksioneve është rritur me 2537 vetë, në 123.016 gjithsej. Brenda 24 orëve janë njoftuar 126 raste të tjera vdekjesh në lidhje me pandeminë, bëri të ditur “RKI”. Sipas Institutit 64.300 vetë janë shëruar. Pra për herë të parë shënohet se më shuma se gjysma e të infektuarve janë shëruar.