Kryediplomates së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, do t’i duhet të caktojë pasuesin e Miroslav Lajçakut në pozitën e emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi meqë janari është muaji i fundit i sllovakut në këtë pozitë. Por, emri i ri i Kallas duhet të ketë pajtimin edhe të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Këshilli Europian në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar se po merret me këtë çështje.

Alma Baxhaku

Një zëdhënëse e Këshillit Europian ka konfirmuar se janë duke u marrë me këtë çështje në një përgjigje për Gazetën Express, por tha se s’mund të bëjë publik ndonjë emër.

“Mund të konfirmoj se çështja është aktualisht në shqyrtim në Këshill. Fatkeqësisht nuk mund të zbuloj se kush është duke u shqyrtuar për këtë pozicion”, tha shkurt ajo në përgjigje.

Diplomatë të shumtë u përfolën për emrin e ri me të cilin Kallas do të fillonte ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi që kur Lajçak kishte për ta përfunduar mandatin e tij në gusht të vitit të kaluar. Megjithatë, tash kur ai përfundon zyrtarisht mandatin e zgjatur deri në janar u bënë publikë disa emra të rinj si kandidatura të mundshme në Bruksel.

Ndër më të përfolurit aktualisht janë diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen dhe ish- Ministri i Jashtëm i Finlandës Pekka Haavisto.

Por, për këtë të fundit, Finlanda në një përgjigje për Express dje tha se ajo s’ka paraqitur në BE kandidatë për këtë pozicion.

“Finlanda nuk ka paraqitur kandidatë për këtë pozicion – si shumë të rëndësishëm”, ka thënë Ministria e Jashtme finlandeze në përgjigje.

Ndërkaq, gazeta finlandeze “Ilta Sanomat” raportoi dje se ai është në proces për të marrë një pozitë të rëndësishme në Kombet e Bashkuara e që lidhet me Lindjen e Mesme.

Siç shkruan gazeta “IS”, Finlanda i ka kërkuar Izraelit përkrahjen për emërimin e Haavisto në pozitën e koordinatorit special i procesit të paqes të OKB-së në Lindjen e Mesme meqë shteti izraelit ka dalë kundër këtij propozimi.

Prej Finlandës po ashtu u përmend edhe Kai Sauer, i cili është aktualisht i angazhuar si ambasador i Finlandës në Gjermani.

Për këtë rol më herët është përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor.

Ai vetë kishte shprehur interesimin e tij mbi postin e Lajçakut dhe se e kishte edhe mbështetjen e shtetit të tij, por të premten ai njoftoi se nuk do të garonte për këtë post.

SHPËRNDAJE