Preshevë, 10 janar 2025 – Kryetari i ri i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), Enkel Rexhepi, ka nisur zyrtarisht detyrën e tij duke dërguar një mesazh të rëndësishëm për bujqit dhe qytetarët e Luginës së Preshevës. Në një deklaratë publike, ai ka shpalosur angazhimet e tij të para, me një fokus të veçantë në transparencë dhe menaxhim efikas të projekteve financiare.
Në vijim të mesazhit të tij, Rexhepi ka bërë të ditur se më 30 dhjetor 2024 transferi financiar nga Republika e Kosovës ka mbërritur në llogarinë e KKSh-së. Megjithatë, procedurat tekniko-administrative për depozitimin e nënshkrimit të tij si kryetar janë ende në proces, një hap që është thelbësor për realizimin e transaksioneve financiare.
“Do të angazhohem që çdo euro e këtij projekti të shkojë atje ku është destinuar – pa pengesa, pa vonesa dhe, mbi të gjitha, pa hije dyshimi për transparencën e procesit,” u shpreh Rexhepi, duke nënvizuar përkushtimin e tij për një menaxhim të denjë dhe dinjitoz të fondeve.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e madhe që ka kjo iniciativë për të gjithë Luginën e Preshevës dhe bëri thirrje për mirëkuptim dhe mbështetje të gjithanshme nga të gjithë aktorët e përfshirë.
“Ky proces do të përfundojë me dinjitetin që e meriton,” përfundoi Rexhepi, duke siguruar qytetarët për përkushtimin e tij maksimal në këtë detyrë.
Kjo deklaratë shënon një hap të ri në drejtimin e KKSh-së dhe ngjall shpresë për një qasje të përgjegjshme dhe efektive në menaxhimin e projekteve që prekin jetën e përditshme të qytetarëve të Luginës së Preshevës.