Lidhja Demokratike e Kosovës i ka quajtur të pavërteta deklaratat e Qeverisë së Kosovës se investimet kapitale të Kosovës në vitin 2023 janë nga më të lartat.
“Investimet kapitale të Kosovës në vitin 2023 nuk kanë qenë më të lartat në historinë e Kosovës, siç po propagandon Qeveria me deklarata të pavërteta,” shkruhet në postimin e LDK.
Sipas tyre, investimet kapitale përgjatë tre viteve të kaluara janë në nivel të ulët.
“Investimet kapitale përgjatë tre viteve të kaluara janë në nivelin më ulët historik, sepse në mesatare, gjatë tre viteve, të dhënat tregojnë se vetëm 11% e buxhetit të shtetit janë investime qendrore. Gjatë pandemisë, në mbyllje totale e krizë botërore, investimet ishin 10%, ngjashëm sikurse në këto tre vite të kësaj Qeverie, përqindja është e njëjtë!”
Teksa kanë shprehur se LDK do t’i publikojë të gjitha faktet që kanë.
“Për krahasim, në vitin 2023 investimet qendrore ishin 348 milionë euro, njëjtë siç ishin në vitin 2017 kur buxheti ishte 1.8 miliardë euro, e jo me 2.8 miliardë sa ishte në vitin 2023. Merita nuk mund të marrë një Qeveri që llogaritë investimet e komunave, si të vetat. Propagandën e tyre e kundërshtojmë me fakte e të dhëna zyrtare që hedhin poshtë këto manipulime. LDK do të vazhdojë t’i publikojë këto fakte në një cikël të postimeve,” përundon njoftimi.