FEHIME SELIMI
BUKURI E ZGJUAR
Unë në ty kthehesha përherë
Me një gr
usht dashuri
Më tepër
Shtëpia ime (pa numër)
Midis këngëve
Vargu im
Dhe malli i një moti
Çdo herë kur dita e re i jepte dritë
Dashurisë sime
Soditjet shpaloheshin para buzëqeshjes
E kënga ime e kishte ngjyrën
E blerimit
Çdoherë kur të rrihnin erërat
Të pagëzonin me të gjitha emrat
Shtëpia ime
Ndonëse fizikisht Fehimja nuk është midis nesh, shpirti i saj përmes librave që janë gjithandej nëpër rafte e bibliotekave e shtëpive tona, vazhdon të jetojë. Kam pasur fat dhe nder që ta njoh Fehimen, sepse jo vetëm që na lidhte trualli i njëjtë (Presheva), por edhe një miqësi e vjetër familjare dhe miqësia ime me vëllain e saj, Smajën. Shpesh, kur vinte në Shkup për t’i vizituar prindërit e mrekullueshëm, takoheshim dhe bisedonim për poezinë. Ka qenë e para që e pati lexuar dorëshkrimin tim me poezi “Qeshje pa zë”, e cila më vonë do të botohet në “Rilindje”. Në krijimet e Fehimes (1954 – 2005) kishte ngrohtësi, përmbajtje dhe mesazh. Përmbledhjen e parë letrare “Fjala ime ka etje” e botoi më 1980 në Shtëpinë Botuese “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, e pastaj “Lule në ethe” më 1982 në Prishtinë në “Rilindje”,”Dita e trembëdhjetë” më 1990 po ashtu në “Rilindje” dhe “Kohë shirash” u botua fatkeqësisht pas vdekjes së poetes më 2007 nga Shtëpia Botuese “Vatra”. Ikja e saj para kohe la një boshllëk jo vetëm në zemrat tona, por edhe në letërsinë tonë, sepse ajo gjithsesi nuk e kishte thënë fjalën e fundit. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Fehimen…