Emri i tij është bërë më i përfoluri ditëve të fundit në futbollin kosovar. Shumëkush po e pret kandidimin e tij për president të Federatës së Futbollit të Kosovës. Eshtë thënë dhe është raportuar se ka filluar të mbledh edhe nënshkrime për kandidim. Ndërsa, tani flet vet ai. Sekretari gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu, flet ekskluzivisht për Gazetën Express.
Pas lajmeve të ditëve të fundit se gjykata ka kërkuar nga Agim Ademi që deri më 18 qershor të paraqitet në Qendrën e Rekrutimit për ta kryer dënimin prej 9 muajsh burgim që ia ka shqiptuar Gjykata e Apelit për një qështje jashtë futbollit, Eroll Salihu u bë emri më i përfolur në futbollin kosovar.
Emri i sekretarit gjeneral të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) po qarkullon në opinion si kandidati kryesor për ta zëvendësuar Ademin në postin e presidentit. Madje, është thënë dhe është raportuar se përpos Komitetit Ekzekutiv të FFK-së që planifikon ta kandidojë Salihun, për të është filluar edhe mbledhja masive e nënshkrimeve të delegatëve të Kuvendit të FFK-së.
Në lidhje me situatën Eroll Salihu ka folur ekskluzivisht për Gazetën Express. Ai thotë se aktualisht është i përqendruar në pozitën dhe punët e tij si sekretar i shtëpisë së futbollit dhe mohon vendosmërinë e tij për t’u kandiduar për president të FFK-së.
Gjatë bisedës me Gazetën Express Salihu ka potencuar se aktualisht FFK-ja e ka presidentin e vet dhe ai është Agim Ademi, i cili çdo ditë po e kryen punën e vet në futbollin kosovar. Ai ishte i qartë duke shprehur besnikërinë e tij karshi presidentit Ademi dhe i ofroi përkrahje maksimale të tij si në rastin personal të Ademit në procesin e drejtësisë ashtu edhe në punët e tyre profesionale në FFK.
“Mua kurrë nuk më ka shkuar mendja që të bëhem kryetar i Federatës, aq më pak në këtë situatë dhe periudhë të ndjeshme. Jam i fundit që do ta mendoja këtë punë. Unë jam sekretar i përgjithshëm dhe mundohem ta kryej punën time me nder. Asnjëherë nuk do t’i punoja dikujt prapa shpinës. Derisa të zgjidhet çështja (e presidentit aktual Agim Ademi), nuk do të flas për këtë punë, nuk është etike”, ka thënë për Gazetën Express Salihu.
Përpos Salihut që është përmend për mbledhje nënshkrimesh në futbollin kosovar thuhet se edhe njerëz të tjerë tashmë ua kanë mësy nënshkrimeve për kandidatë tjerë. Derisa Salihu thotë për veten e tij se nuk është fare duke menduar për postin e presidentit, ai nuk mund ta mohojë mundësinë që dikush tjetër të kërkojë nënshkrime dhe të hedh akuza të rrejshme ndaj tij dhe krerëve tjerë të FFK-së. “Është fatkeqësi që dikush po mundohet ta shfrytëzojë këtë situatë”, ka thënë ai.
Salihu prej vitesh është sekretar gjeneral në FFK. Njihet si njëri prej motorëve të FFK-së në procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA, sidomos në përgatitjen e statutit, rregulloreve dhe akteve tjera juridike. Ai ka qenë bashkëpunëtor shumë i afërt dhe besnik i presidentit të ndjerë Fadil Vokrri. Kontribut të njëjtë është munduar të jap edhe deri më tanin në FFK-në e kryesuar nga Agim Ademi.
Karriera e tij si futbollistë e prej vitesh si sekretar gjeneral të FFK-së e bënë atë si nj kandidat potencial për kryetar, nëse jo tani në këtë kohë, sigurisht për të ardhmen. Në fund të fundit Salihu shihej edhe si kandidat edhe pas ndarjes nga jeta të legjendës Fadil Vokrri. Por, në fund ish zëvendësi i Vokrrit, Agim Ademi ishte kandiduar dhe kishte fituar me përkrahjen e Salihut, e cili e kishte vazhduar punën e sekretarit.
“Është e vërtetë se unë e kam besimin e plotë të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Nëse e kërkon momenti në të ardhmen, të shohim. Por, për momentin Federata e Futbollit e Kosovës e ka kryetarin e saj dhe nuk është korrekte të flitet për pasardhësin e tij kur Agim Ademi është duke i kryer punët e veta që i takojnë”, vazhdoi Salihu.
Salihu e ka pranuar se ka afërsi dhe bashkëpunim të ngushtë me presidentin Ademi dhe me gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, të cilët vendosin shumëçka me statut rreth çdo Kuvendi e aq më shumë në situata të Kuvendeve të Jashtëzakonshme.