Shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhështor si Euro 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjve të saj.
FFK në ankesën e paraqitur me dëshmitë e nevojshme në UEFA, ka kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, si recidiviste e rasteve të tilla.
Njëkohësisht, kërkojmë vigjilencë nga organizatori për të evituar shfaqjen e banderolave të tilla në ndeshjet e ardhshme, pasi ato përbëjnë shkelje të rëndë të rregullave të UEFA-së.
Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit.
Federata e Futbollit të Kosovës qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerave të futbollit dhe promovimit të asaj që UEFA përfaqëson: unitet, gjithpërfshirje dhe pasion për lojën e futbollit, por njëherësh me vendosmëri mbron edhe dinjitetin e shtetit, që është krijuar me shumë mund e sakrificë.
I bëjmë thirrje UEFA-së që persona me sjellje dhe filozofi të urrejtjes ndaj një populli dhe shteti tjetër të mos kenë vend në arenat e futbollit.
Futbolli dhe eventet e tilla si Euro 2024 nuk duhet t’u shërbejnë shovinistëve e racistëve për promovim të gjuhës së urrejtjes.