Marrëveshja e cila ishte bërë e ditur më 24 nëntor të vitit të kaluar ka filluar të zbatohet të premten. Pasditen e së premtes ka nisur rinovimi i fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Për renovimin e fushës në “Fadil Vokrri”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Federata e Futbollit e Kosovës kishin arritur marrëveshje në nëntor të vitit të kaluar. Por vetëm të premten kanë nisur punimet në terren.
Në fillimin e punimeve prezent ishin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Ministri Çeku tha se përpos rinovimit të fushës do të ketë edhe blerje të pajisjeve për mirëmbajtje, si dhe trajnime të stafit vendor për mirëmbajtjen e fushës.
“Theksi i kësaj kontrate nuk është vetëm te rindërtimi i fushës, por sidomos te mirëmbajtja. Në këtë investim të përbashkët të Ministrisë dhe Federatës nuk ka vetëm rindërtim të fushës, ka edhe blerje të pajisjeve për mirëmbajtje, ka trajnim të stafit vendor për mirëmbajtje të këtij stadiumi, me avantazhin që kur të trajnohen ata, kur të sigurohen këto pajise, ato mund të përdoren edhe te stadiumet e tjera të Kosovës. Pra, po punojmë jo vetëm për ditën kur do të inaugurohet përfundimi i punimeve, por që të kemi një stadium të qëndrueshëm të futbollit, në mënyrë që ato pamje që i kishim më herët të mos përsëriten”, ka thënë ministri Çeku.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, tha se kjo është një ngjarje e madhe për futbollin e Kosovës. Ka treguar se është fusha e parë hibride. Ai ka falënderuar MKRS-në për investimin.
Është fusha e parë hibride që po instalohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në Prishtinë. Kjo realisht është bërë me Ministrinë apo projekt i Ministrisë, së cilës iu kemi bashkangjitur edhe ne. E falënderoj Ministrinë që është marrë me këtë punë, për faktin se ne vetë nuk do të kishim munduar t’ia dalim kaq shpejt. Ky stadium do të shërbejë jo vetëm për ndeshjet ndërkombëtare, por sigurisht do të jetë një arenë që do të mbledhë të gjitha garat kryesore në Kosovë”, ka thënë Ademi.
Sipas punëkryerësit, fusha pritet të jetë gati për ndeshje futbolli më 6 korrik të këtij viti.
Po më 24 nëntor stadiumi në Prishtinë ishte mbyllur për shkak të gjendjes shumë të keqe të fushës. Fusha ishte dëmtuar për shkak të ngarkesës së madhe dhe mirëmbajtjes jo të duhur. Ka pasur shumë kritika për gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”. Madje një lojtar i Izraelit e kishte krahasuar me stallë derrash.
Në fund të nëntorit UEFA nuk e kishte lejuar Ballkanin që të luante në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Konferencës. Dhe më pas stadiumi u mbyll.
Pos ekipeve përfaqësuese, stadiumi shfrytëzohet për ndeshje edhe nga klubi Prishtina. Prej vjeshtës Prishtina si vendase është detyruar të luajë në Lipjan. Prishtina do të kthehet në stadiumin e qytetit vetëm në edicionin e ardhshëm.