Fisnik Asllani, talenti i ri nga Bundesliga 2, i cili luan për SV Elversberg, debutoi për herë të parë me Kombëtaren e Kosovës në ndeshjen kundër Rumanisë. Ndonëse rezultati në këtë ndeshje ishte zhgënjyes për të gjithë, debutimi i tij në fanellën dardane shënon një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, teksa pritet që me kalimin e viteve ai të bëhet një nga sulmuesit kryesorë të Kosovës. Në një intervistë për ‘futbolli.info’, Asllani ndau përvojën e tij të parë me fanellën dardane dhe atmosferën në ekipin kombëtar.

I pyetur për pritjen nga bashkëlojtarët dhe stafi teknik, Asllani u shpreh: “Lojtarët dhe stafi më pritën në mënyrë shumë të mirë. Mikpritja e tyre më bëri të ndjehem shumë komod, si në shtëpinë time”.

Asllani gjithashtu foli për atmosferën në kampin e Kosovës, duke theksuar energjinë e fortë pozitive që mbizotëronte gjatë stërvitjeve dhe gjatë kampit.

“Atmosfera në kampin e Kosovës ishte shumë e mirë. Energjia pozitive dhe puna ishin ato që mbizotëronin gjatë gjithë kohës. Kjo atmosferë na shtonte motivimin për të dhënë më të mirën për vendin dhe fanellën e shenjtë”, shtoi ai.

Debutimi me fanellën e Kosovës ishte një moment i paharrueshëm për Fisnik Asllanin. Për të, ky ishte një moment për t’u krenuar, sidomos duke pasur parasysh mbështetjen e familjes së tij.

“Të veshësh fanellën e Kosovës ishte një ndjenjë e veçantë, dhe kam ndjerë shumë kënaqësi që e kam bërë familjen time krenare. Ata ishin të pranishëm në stadium, së bashku me të tjerët, duke na përkrahur si ekip”, tha Asllani.

Në fund, Fisniku dërgoi edhe një mesazh të fuqishëm për të gjithë futbollistët që të bëhen pjesë e Kombëtares së Kosovës.

“Mesazhi im është që të gjithë të bashkohen me ekipin Kombëtar të Kosovës, sepse jemi një brez shumë i mirë. Kemi lojtarë me përvojë nga të cilët mund të mësojmë shumë, si dhe të rinj të talentuar nga të cilët pritet shumë. Ne duhet të jemi konsistentë në punë dhe të mos ndalemi kurrë. Të ruajmë gjithmonë disiplinën për të arritur ëndrrat tona të përbashkëta”, tha Asllani. Fisnik Asllani është një futbollist premtues për të ardhmen e Kombëtares së Kosovës dhe me përkushtimin dhe talentin e tij, pritet të vazhdojë rrugën e sukseseve dhe të lë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

SHPËRNDAJE