Intervistë me ikonën e modës Emine Cunmulaj
Duket qartë se pjesën më të madhe të kohës ia kushton modës dhe karrierës. Cili
është stafi që zë pjesë të rëndësishme në punën tënde?
Jam e përfaqësuar nga agjenci të shumta në gjithë botën. Menaxheri im kryesor është Konor Kenedi, nga firma “Muse Models” e Nju- Jorkut. Jam e përfaqësuar edhe në Francë, në Londër, në Milano, në Gjermani, në Dubai dhe në Indi. Por, çdo gjë e punës sime kalon me menaxherin tim. Natyrisht, edhe familja ime zë pjesë të rëndësishme në karrierën time. Pa përkrahjen dhe dashurinë e tyre nuk do të ishte lehtë.
Moda për ty është sakrificë apo privilegj?
Janë të dyja në të njëjtën kohë. Gjithmonë duhet të sakrifikojë dhe duke sakrifikuar jam e privilegjuar që kam mundësinë të udhëtoj nëpër botë, të mësoj për kultura të ndryshme, të takohem me njerëz fantastik etj. Sakrificë është edhe largimi im nga të dashurit e mi: familja dhe shoqëria. Janë rralluar pushimet e mia familjare, në ditëlindjet e tyre mungoj shumë herë ose, thjesht, më mungojnë ditët kur gjithçka ishte normale, si në kohën e fëmijërisë.
Kaloi shumë kohë prej se je pjesë e rëndësishme e fushës së modës ndërkombëtare. A je e kënaqur me suksesin e arritur?
Kam arritur gjithë ata që kam dashur të arrij lëmin e modës. Kam ëndërruar të punoj me dizajnerët: Karl Lagerfeld, Zhan Paul Gautier, Tom Fordin e shumë të tjerë. Unë, po ashtu, kam ëndërruar të bëhem pjesë e revistave: “Vogue” dhe “Elle” dhe këtë e kam realizuar.
Sa është vështirë të depërtohet jashtë vendit, duke ditur se atje ku ti punon dhe jeton kanë traditë të jashtëzakonshme në lëmin e modës?
Nga përvoja më duhet të them se është shumë vështirë. Ke konkurrencë shumë të madhe, vajza të bukura dhe një fushë të modës, e cila gjithmonë është në kërkim të stileve dhe pamjeve të ndryshme. Të mbijetosh duhesh të jesh ambicioze. Duhet, thjesht, t’ia kushtosh jetën modelimit.
Nuk ke reshtur së pozuari për kopertinën e së famshmes “Vogue”, “Elle”,“Marie Claire” dhe shumë të tjera. Si ndihesh?
Jam person shumë kritik ndaj vetes. Normalisht që në fillim kam qenë pak e emocionuar
kur e kam parë veten në revista, por me kalimin e kohës fillova të mësohem.
Emina, je ngjitur në pasarelat e Nju – Jorkut, të Parisit dhe Milanos me veshjet e firmave “Versace”, “Dolce & Gabana”, “Fendi”, e shumë të tjera. Si është të punosh me një kast të famshëm dhe me ndikim botëror?
Është, thjesht, një ndjejnë e kënaqësisë dhe privilegj për mua. Duke qenë vetvetja u bëra e suksesshme në modelim.
Gjatë sfilatave sfilon edhe me veshje të brendshme seksi. Ka pasur reagime nga
shqiptarët kur të kanë parë duke sfiluar dhe pozuar me të brendshme seksi?
Nuk i dëgjoj fjalët e huaja. Puna ime është t’i prezantoj dhe t’i shes rrobat që i reklamoj.
Kohëve të fundit je gjithnjë e më e pranishme në mediet shqiptare. Tashmë reklamon edhe xhinsët e një firme shqiptare. Si u bëre pjesë e këtij projekti?
Shoku im i dashur, Fadil Berisha, më tregoi për këta xhins dhe ma bëri me dije se është hapur një fabrikë në Kosovë për prodhimin e tyre. Si dhuratë për hapjen e fabrikës kam vendosur të pozoj falas.
Gjërat në trojet shqiptare gjatë viteve të fundit për modelet dhe fushën e modës kanë ecur mirë apo keq?
Po ecim me kohën, por mund të ecim edhe më mirë.
Sa është vështirë sot t’i mbijetosh tregut të modës?
Duhet të jesh person i fortë për t’i mbijetuar thashethemet dhe konkurrencën. Bota e modës është jashtëzakonisht konkurruese.
Për vajzat shqiptare në Kosovë dhe në diasporë je më e preferuara. Çfarë do të
thotë kjo për ty?
Dua që ato t’më marrin shembull mua, si femër shqiptare, e që kam realizuar ëndrrën time. Pra, secili mund të arrijë ëndrrën e vet, por të ketë besim në vetvete.
Pate një martesë fillimisht të lumtur, por u ndatë. Ish-bashkëshorti juaj nuk mundi
t’i mbijetoj jetës tënde si modele apo pat arsye të tjera të ndarjes?
Jam martuar shumë e re. Nuk e fajësoj karrierën për problemet në jetën martesore.
Por, një femre të re, të bukur, të famshme, ambicioze si ti, sigurisht nuk i mungojnë ofertat apo?
Kam oferta si çdo femër tjetër.
Na trego diçka më shumë rreth jetës tende private. Ka ndonjë dashuri të re në ?
Po, ka diçka të re…