Gazmend Syla, i lindur në Grabanicë të Klinës, është një figurë e njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm gjatë luftës dhe pas saj. Në moshën 16-vjeçare, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shërbyer në njësi të ndryshme të Zonës Operative të Dukagjinit, përfshirë Batalionin “Tigrat”, Brigadën 132 “Myrtë Zeneli” dhe Njësitin Intervenues të ZOD. Familja e tij ishte strehë për celulat e para të UÇK-së, dhe gjatë luftës, Syla ishte përkrah komandantit Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tjerë të shquar si Shkëlzen Haradinaj, Naser Brahimaj dhe Fadil Nimani.

Pas përfundimit të luftës, Syla vazhdoi angazhimin e tij në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, fillimisht në Zonën e II-të Mbrojtëse dhe më pas në Shtabin e Përgjithshëm. Ai është njëri nga themeluesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ku shërben si anëtar i Këshillit Drejtues dhe Kryesisë Qendrore. Që nga tetori 2016, mban postin e kryetarit të degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Pejë dhe ka shërbyer si këshilltar politik i Kryeministrit Ramush Haradinaj, si dhe drejtor i Zyrës për Çështjet e Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së.

Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, Syla kandidon për tu rikthyer si deputet i Kuvendit të Republikës , duke mbajtur numrin 80 në listën e AAK-së. Ai ka deklaruar se, nëse merr besimin e qytetarëve, do të jetë zëri i tyre i fuqishëm në kuvend, me fokus të veçantë në mbrojtjen e interesave të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

SHPËRNDAJE