Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nuk ka hequr dorë nga deklarata në Dubrovnik ku tha se pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë”. Gërvallës në krah po i dalin edhe deputetë të partisë në pushtet, ndryshe nga përfaqësues të opozitës të cilët e kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të saj ose edhe shkarkimin për deklaratën të cilën e cilësojnë skandaloze dhe të pa-nevojshme.
Ministrja e Jashtme po vazhdon të besojë se nuk ka gabuar kur Bashkimin Evropian e ka cilësuar “Tigër prej letre”.
Kryediplomatja e shtetit që synon anëtarësim në BE përmes një postimi në “Facebook” ka ringritur pyetjen se: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë?
Po kësaj pyetje ministrja Donika Gërvalla përmes një teksti të gjatë i është kundërpërgjigjur ashpër opozitës duke i cilësuar pa dinjitet, pa strategji, plan e pa vizion.
Në linjë me Gërvallen ka qëndrim edhe deputeti i koalicionit, Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai thotë se edhe brenda BE-së ka vet-kritikë të ngjashme, prandaj kërkon të mirëkuptohen kritikat e Gërvallës.