Gianni Infantino fiton garën për president të FIFA-s. 45-vjeçari zviceran me origjinë italiane do të jetë në krye të qeverisë së futbollit botëror deri në vitin 2019-të, pasi triumfoi në raundin e dytë me 115 vota përballë sheikut nga Bahreini Salman Al-Khalifa që siguroi 88 vota. Një rezultat paksa befasues për faktin se para votimeve Al Khalifa konsiderohej favorit. Sipas rregullores parashikohej që fituesi në raundin e parë duhej të grumbullonte prej 138 votash, ose më saktë 2/3 tat e votave, por asnjë nga kandidatët nuk e siguroi numrin e nevojshëm të votave në këtë raund, pasi për Infantino votuan 88 anëtarë të FIFA-s, për Al Khalifan 85 dhe për princin Ali 27 dhe 7 të tjerë për Jerome Champange, ndërsa Tokyo Sexwale ishte tërhequr nga gara.
Në raundin e dytë për fituesin nevojitej 50 për plus një votë, pra vetëm 104 vota, por Infantino përveç votave që mori në raundin e parë, tërhoqi pjesën më të madhe votave që kishin shkuar fillimisht për kandidatët që u renditën në vend të tretë dhe të katërt në raundin e parë, duke e tejkaluar me 9 vota numrin që i duhej për t’u zgjedhur president. Salman Al Khalifa nuk mori më shumë se 88 vota, për Princin e Jordanisë votuan 4 federata, ndërsa për Jerome Champange në raundin e dytë nuk e dha votën asnjë anëtar i FIFA-s. “Nuk di si të përshkruaj ndjenjat e mia tani. Ju kam treguar se kam pasur udhëtim të pazakontë, kam takuar njerëz fantastikë, që jetojnë me futbollin dhe shumë tjerë që duan që FIFA të respektohet.
Të gjithë në botë duhet të na aplaudojnë për atë që e bëjmë. Të gjithë duhet të jenë krenar. Dua të punoj me ju për të nisur një epokë të re në të cilën mund të vendosim futbollin në qendër”, tha Infantino. “Duhet të implementojmë reformat, por edhe duhet të kemi respekt, respektin që e gjithë bota ja ka borxh futbollit dhe të sigurohemi që, më në fund, të fokusohemi në botën e mrekullueshme që është futbolli”, ka thënë Infantino.