Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, premtoi përkrahje të plotë për Ukrainën gjatë një vizite në Kiev të hënën, në kohën kur të dyja palët po mundohen që t’i ngushtojnë dallimet rreth kërkesës së Ukrainës për armë për t’u përgatitur për një sulm të mundshëm nga Rusia.
Në një konferencë të përbashkët për gazetarë, kryediplomatja gjermane dhe homologu i saj ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se askush nuk do të mund të futë përçarje mes dy vendeve. Ministrja gjermane theksoi se vendi i saj është i gatshëm që të paguajë çmim të lartë ekonomik për t’u ballafaquar me Moskën.
“Ne qëndrojmë me Ukrainën. Askush nuk do të ketë sukses për të futur përçarje mes nesh. I dashur Dmytro, ju e dini se mund të llogaritni në Gjermaninë”, tha ministrja gjermane.
Megjithatë, pati paqartësi nëse ministrja Baerbock do të takohej edhe me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy. Dy burime diplomatike thanë se ky takim është anuluar. Zyra e presidentit tha se një takim i tillë as nuk ka qenë i caktuar, ndërsa kryediplomati ukrainas tha se mungesa e këtij takimi nuk duhet të merret shenjë për asgjë, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Zyrtarët ukrainas e kanë kritikuar publikisht Gjermaninë për refuzimin për t’i dhënë armë Kievit dhe për ngurrimin e perceptuar për ta ndërprerë qarkullimin e gazit përmes gazsjellësit “Nord Stream 2” nga Rusia, nëse Moska nis sulm ndaj Ukrainës.
Vizita e ministres gjermane në Kiev është e dyta në tri javët e fundit dhe pjesë e një vargu vizitash nga zyrtarë të lartë të shteteve të NATO-s me qëllim të shfaqjes së solidaritetit me Ukrainën, pasi Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa afër kufirit ukrainas.