Njohësi i futbollit, Granit Begolli, ka reaguar ndaj një deklarate të ish-kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, lidhur me incidentin e largimit të lojtarëve të Kosovës nga fusha e lojës. Cana kishte deklaruar se, sikur Kosova të ishte duke fituar, lojtarët nuk do të largoheshin, një qëndrim që Begolli e ka cilësuar si të padrejtë dhe paragjykues.

“Ky njeri po paragjykon dhe nuk është korrekte kjo deklaratë. Lojtarët janë larguar nga fusha për ta mbrojtur integritetin e shtetit dhe mirë kanë bërë e jo për rezultat,” tha Begolli gjatë emisionit Sportshow.

Ai theksoi se vendimi i lojtarëve të Kosovës për t’u larguar nga fusha nuk kishte të bënte me rezultatin, por me një akt të qartë për mbrojtjen e dinjitetit dhe nderit të shtetit.

“Pra këtu s’kemi të bëjmë me rezultat, por për mbrojtjen e shtetit,” vazhdoi Begolli, duke mbrojtur fuqishëm qëndrimin e ekipit të Kosovës.

Begolli gjithashtu i sugjeroi Canës që vëmendjen e tij ta përqendrojë tek kritikat ndaj Armand Dukës, presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, për mungesën e një deklarate publike në mbrojtje të Kosovës.

“Unë do t’i thoja Lorikut që kishte qenë mirë ta kritikojë Armand Dukën, pse nuk foli për Kosovën, por si duket atë nuk guxon,” përfundoi Begolli.

Ky debat ka nxitur reagime të shumta, duke ngritur pyetje mbi prioritetet dhe përgjegjësitë që lidhen me futbollin dhe përfaqësimin e vlerave kombëtare.

SHPËRNDAJE