Vendimi për lirimin e Nazime Vishës, të resë që vrau Fiqiri Muçën në 2013-ën, është konsideruar i padrejtë nga e veja e viktimës, e cila po rrit 5 fëmijë e vetme.
Bashkëshortja e Fiqiri Muçës tregon se është duke shlyer edhe një kredi që ish bashkëshorti i saj kishte marrë për ti blerë dhurata Nazimes. “Fiqiriu vdiq nga plumbat, ndërsa ne do të vdesim nga skamja. Burri na la një mal me halle, ku ndër të tjera edhe një kredi që kishte marrë për të blerë dhurata për dashnoren. Fiqiriu, pa dijeninë time, kishte marrë një kredi në një bankë, rreth 1 milion e gjysmë lekë, për t’i blerë dhurata Nazimes. Tani banka m’i kërkon lekët mua. Vijnë sjellin njoftime në shtëpi, duan lekët. Unë nuk kam asnjë mundësi për ta mbyllur këtë kredi, por edhe të kisha pasur mundësi, nuk do ta mbyllja sepse nuk kam qenë në dijeni të kredisë që kishte marrë Fiqiriu”, ka thënë ajo.
Për gazetën ‘Panorama’ bashkësortja e Fiqiri Muçës rrëfen se “Nuk i kemi pritur mirë zhvillimet e fundit dhe trajtimit që iu bë në përgjithësi kësaj ngjarjeje. Sigurisht, jemi shumë të irrituar me vendimin e presidentit. Presidenti s’kishte arsye pse të falte Nazimen. Ligji është ligj. Ky është një shtet kriminel, hajdutësh dhe jo një shtet ku mund të gjesh e të marrësh drejtësi. Presidentit apo të gjithëve atyre që dalin lart e poshtë për të kërkuar të falet Nazime Visha, minimalja që duhej të kishin bërë ishte të vinin të merrnin edhe mendimin e palës së dëmtuar”.
Ajo ka thënë ndër të tjera se nuk do ta fal Nazimen kurrë. “Nazimja më shkatërroi familjen, ajo nuk vrau vetëm Fiqiriun, por të gjithë familjen. Nuk do ta fal kurrë. Ne jemi dëmtuar shumë nga kjo ngjarje, pasi pas vdekjes së bashkëshortit (Fiqiriut), jemi shkatërruar totalisht si familje. Burri ishte i vetmi që sillte para në shtëpi për t’u ushqyer dhe pas vdekjes së tij jemi katandisur në mëshirë të fatit. Por jeta jonë nuk i bën përshtypje askujt. Nuk vijnë të shikojnë këtë grua të ve me pesë fëmijë të vegjël se çfarë problemesh kanë, kanë bukë për të ngrënë apo rroba për t’u veshur, por merren me Nazimen. T’u vijë turp të gjithëve, e shkelën me këmbë drejtësinë”, ka rrëfyer ajo.