Avokati mbrojtësi i Ramush Haradinajt, Michael O’Reilly i ka thënë Radio Dukagjinit se brenda kësaj jave mund të merret vendim lidhur me numrin e dëshmitarëve që do paraqiten për gjykimin e Haradinajt.
Sipas, O’Reilly nëse kjo ndodhë, gjykimi i Haradinajt mund të nis në mes të qershorit.
Avokati ka potencuar se Ramush Haradinaj kësaj radhe, një herë e përgjithmonë do t’i përfundoj punët me Tribunalin e Hagës.
Po bëhen një vit dhe ish-kryeministri dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është duke u mbajtur në burgun e Hagës. Rasti i tij është i pari që është kthyer në rigjykim.
Sipas avokatit O’Reilly ky fakt bën që Tribunali të jetë pa eksperiencë për raste të tilla dhe të mos caktojë datën e gjykimit dhe numrin e dëshmitarëve që do të paraqiten në rigjykimin e tij. Por O’Reilly, është optimist që vendimi për dëshmitarët do merret këtë javë duke i hapur rrugë edhe vendimit për nisjen e seancave gjyqësore.
“Nëse vendimi merret këtë javë shpresojmë se gjykimi mund të fillojë në mes të qershorit. Por në këtë fazë nuk mund të themi dhe nuk e dimë kur do të fillojë seanca gjyqësore. Derisa nuk e shohim vendimin dhe derisa i marrim për bazë implikimet që mund të ketë ky vendim nuk mund të kemi një ide të qartë se kur gjykimi do të filloj dhe sa do të zgjasë”, ka thënë O’Reilly
Pala mbrojtëse ka paraqitur kërkesë që në rigjykimin e Haradinajt të merren në pyetje vetëm dy dëshmitarë, nga ana tjetër, prokuroria insiston që të paraqiten të gjithë dëshmitarët që kanë dëshmuar edhe më parë për të njëjtin rast.
“Jemi shumë optimist se kësaj here do të përfundojë një herë e përgjithmonë”, ka shtuar O’Reilly.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Nerma Jellacic, ka theksuar se nuk mund të përcaktohen afate se kur mund të nis rigjykimi i Haradinajt. Sipas saj, çdo gjë varet nga vendimi i Dhomës së Apelit
“Kur të gjitha këto procedura të kompletohen data e gjykimit do të caktohet. Nuk ka asnjë afat kohor në rregullat e përcaktuara të Tribunalit të Hagës që vendimi duhet të merret brenda këtij apo atij afati. Prandaj për ne është e pamundur të spekulojmë se kur Gjykimi do të filloj”, ka pohuar Jelacic.