Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, është shprehur i shqetësuar për sulmin që po u bëhet medieve në tubime zgjedhore, sidomos të Vetëvendosjes.
Ai thotë se askush s’ka të drejtë të linçojë, të pengojë, të akuzojë, apo edhe të ushtrojë presion ndaj gazetarëve në punën e tyre.
“Me shqetësim po i shoh sulmet ndaj jush në tubimet zgjedhore, sidomos të Vetëvendosjes. Ushtrimi i profesionit tuaj duhet të jetë i lirë dhe, natyrisht, ju i caktoni politikat dhe rregullat sipas standardeve profesionale. Askush s’ka të drejtë të linçojë, të pengojë, të akuzojë, apo edhe të ushtrojë presion ndaj gazetarëve në punën e tyre”, thotë kreu i AAK-së.
Tutje, Haradinaj shprehet se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe nuk kemi nevojë për diktator që na tregon cila është e drejta.
“Si Kryeministër jam munduar gjithmonë të jem transparent dhe i përgjegjshëm në punën time. Natyrisht, jam përballur shpeshherë edhe me pyetje të forta, hulumtime e materiale tjera, por thellësisht kam qenë dhe jam i bindur se liria për median ka rëndësi për vendin. Kosova është vend i lirë dhe me liri të shprehjes. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe nuk kemi nevojë për diktator që na tregon cila është e drejta. Unë besoj në punën tuaj profesionale. Dhe, pa dyshim, opinioni duhet ta gjykojë i lirë punën tuaj. Punë të mbarë”, ka thënë më tej ai.