Kandidati për president nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një intervistë për emisionin “KOMPAS” ka thënë se në javën e parë, pasi që do ta marrë detyrën e presidentit, do ta dekretojë natyralizimin dhe shtetësinë për shqiptarët e Luginës.

Ai ka deklaruar se e kanë përgatitur bazën ligjore dhe këtë do ta bëjnë bazuar në Kushtetutën e vendit.

“Si kryetar qeverie në atë kohë kam mundur t’i kryej disa punë konkrete për bashkombasit tonë të Luginës, por si president e kam mundësinë më të madhe sepse mundem ta dekretojë natyralizimin dhe shtetësinë, menjëherë, e pastaj çdo kush e merr. Kjo është diçka që do ta bëjmë javën e parë . E kemi përgatitur bazën ligjore, është diçka që e bëjnë shumë vende. Serbia e ka, serbët e Kosovës e kanë edhe shtetësinë e Serbisë edhe të Kosovës. Ne e kemi përgatitur materialin bazuar në Kushtetutë, do t’ua japim shtetësi dhe natyralizim”, ka thënë Haradinaj për emisionin “Kompas”.

Haradinaj tutje ka folur edhe për idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovë.

Ai ka thënë se Serbia nuk ka qenë e sinqertë se do ta japë atë pjesë të territorit, e që sipas tij, viktimë e kësaj kanë rënë një pjesë e lidershipit.

Kryetari i AAK-së`, ka thënë se qëllimi i Serbisë ka qenë vetëm t’i hapë kufijtë e Kosovës, në mënyrë që të marrë edhe ndonjë pjesë të territorit të saj.

“Në Preshevë e njohin Serbinë dhe e dinë sa është Serbia e sinqertë dhe a e kish dhënë Luginën. Kjo ka qenë vetëm një lojë sa për ta hapur kufirin, po jo me dhënë Luginën por me marrë edhe ndonjë Luginë tjetër për Serbinë. Për fat të keq kanë rënë në grackë një pjesë e lidershipit tonë. Serbia e pakënaqur me Kosovën e pavarur, ka dashur ta marrë një pjesë të territorit. Shqiptarët e Luginës do të ishin vetëm viktimë, nuk do të jepej Presheva dhe asnjë metër e asaj pjesë”, ka deklaruar ai.

Nëse kjo do të ndodhte, Haradinaj ka thënë se do të ishte tragjedi për të gjithë shqiptarët. Ai tutje ka shtuar se nuk duhet lejuar që të bëhen eksperimente në kurrizin e shqiptarëve në pjesën lindore.

“Fatmirësisht kjo nuk ka ndodhur për shkak se do të ishte një tragjedi e radhës për shqiptarët e Luginës dhe çdo kund. Ne i kuptojmë ndjenjat e shqiptarëve atje për bashkim me Kosovën dhe është diçka legjitime por jemi realist. Ne nuk dëshirojmë me ua rëndu qytetarëve tonë atje gjendjen duke bërë eksperimente në kurriz të tyre”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se ideja për hapjen e kufijve është fshirë dhe një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

“Nuk mund të ndodhë hapja e kufijve, është e fshirë. Nuk bëhet kështu lëvizja me kufij. Sikurse në anën e Kosovës janë topat, tanket e avionët e NATO-s, Serbia është aleat i Rusisë ende dhe nuk lëvizin kufijtë kështu”, ka përfunduar Haradinaj.

SHPËRNDAJE