Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu derisa ka folur për punën dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në drejtësinë tranzicionale dhe adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ka treguar se aktualisht në bazë të të dhënave janë 67 aktakuza për krime lufte të ngritura në 62 raste ndaj 174 personave nga të cilat tha se 10 raste janë duke u gjykuar në mungesë dhe pritet që ky numër të rritet në vazhdimësi.
Kjo sipas saj, pas ndryshimeve të rëndësishme që ndërlidhen me gjykimin në mungesë të kriminelëve serb e duke parë që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës e as terroristët e sulme terroriste në kohë të paqes.
“Tani mund të ndiqen penalisht ata që përpiqen të shmangin përgjegjësinë për krimet që kanë kryer. Në bazë të të dhënave siguruar nga sistemi i drejtësisë Departamenti për Krime Lufte, tashmë janë 67 aktakuza të ngritura në 62 raste ndaj 174 personave nga të cilat 10 raste janë duke u gjykuar në mungesë dhe pritet që ky numër pritet të rritet në vazhdimësi. Duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës e as terroristët që kryejnë sulme terroriste në kohë të paqes ka qenë e rëndësishme të adresohet gjykimi në mungesë për krime lufte”, tha Haxhiu.
Në këtë konferencë Haxhiu ka përmendur arritjet që janë bërë sa i përket drejtësisë tranzicionale dhe adresimit të krimeve të kryera në Kosovë.
“Gjatë kësaj periudhe qeverisëse kemi ndërmarr veprime të shumta dhe janë bërë hapa të rëndësishëm për të ndërtuar themelet e një procesi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës që synon të zbardhë të vërtetën e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë si dhe të ofrojë drejtësi për viktimat. Në këtë drejtim për katër vite me radhe kemi punuar me përkushtim të plotë për të institucionalizuar kujtesën kolektive dhe për të siguruar që dëshmitë e krimeve të luftës të ruhen e të iu transmetohen brezave të ardhshëm”, tha ajo.
Tutje Haxhiu shtoi se janë shënuar rezultate të rëndësishme e të prekshme, siç është themelimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
“Fillimisht kemi themeluar e funksionalizuar Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Konsiderojë që është një arritje për të cilën jemi krenar e kemi punuar shumë. Instituti i funksionalizuar tashmë ka për qëllim dokumentimin e krimeve të lufëts së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Themelimi i institutit tregon vendosmërinë tonë për të mos e lejuar harresën e për të siguruar që e vërteta të dalë në dritë”, shtoi tutje ajo.
Tregoi se tashmë është mbledhur sasi e konsiderueshme e materialeve që dokumentojnë krimet e kryera nga Serbia dhe sipas saj, ky dokumentacion jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e të vërtetës historike, por tha se është armë e fuqishme kundër mohimit dhe manipulimit të historisë.
Si arritje tjetër, Haxhiu e ka renditur edhe miratimin e Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale.
“Strategjia është udhërrëfyes i qartë për ne, për të adresuar të kaluarën e dhimbshme dhe për të ndihmuar viktimat të gjejnë paqe e drejtësi. Si MD po bëjmë përpjekje maksimale që pas miratimit në mbledhjen e Qeverisë, secili rekomandim, secili veprim që përfshihet në Strategji të zbatohen plotësisht”.
Ministrja tha se të gjitha këto veprime të ndërmarra nga ta janë bërë për herë të parë.
“Ne kemi qenë të detyruar të nisim nga e para meqë në të kaluarën nuk ka pasur vullnet. E gjithë kjo punë është dëshmi e qartë se drejtësia nuk është vetëm një objektiv politik , por detyrë morale e historike. Përballja me të kaluarën nuk është e lehtë, por është e domosdoshme për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të qëndrueshme Republika e Kosovës nuk do të dorëzohet kurrë përballë mohimit apo përpjekjeve për të zbehur të vërtetën, drejtësia do të triumfojë”, tha ministrja e Drejtësisë.