Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, në një intervistë për Presheva Jonë, është parë i vendosur sa i përket kauzës rreth bashkimit të Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës.

Numri dy i LDK’së, gjatë kësaj intervistë ka thënë se pa bashkimin e Kosovës Lindore nuk jemi të plotë, ndërkohë që ka shprehur habinë me kundërshtarët e idesë se tij, për të cilët tha se tash e 20 vjet e proklamojnë kombëtaren.

“Të gjitha ato parti politike e individë që janë thirrur në emër të bashkimit kombëtar, të gjitha ato gazeta që janë thirrë në emër të kombit, e madje janë quajtur kombëtare, sot janë bërë kosovocentrikë, janë strukur në shpirtin e tyre të ngushtë, duke e parë Kosovën vetëm në katundin e vet. Aq më keq, duke e parë me dylbi prej largu. Kjo për mua është fatkeqësi”, ka thënë Haziri për Presheva Jonë.

Presheva Jonë: Kryetar, me gjasë më në fund do ta kemi takimin e shumëpritur në Shtëpinë e Bardhë. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky takim që pritet të ndodhë së shpejti, a do t’i hapë rrugë asaj që po e presin qytetarët e Preshevës, pra bashkimit me Republikën e Kosovës?
Lutfi Haziri: Java e parë e shtatorit do t’i takojë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, nga ana e Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit, ndërkohë nga Serbia do të jetë presidenti serb, duke tentuar rikthimin e takimeve për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në dimenzionin apo parimet e fuqizimit ekonomik.
Ky është zotimi amerikan gjatë kësaj faze, me vetë faktin se dështoi takimi i gushtit për shkak të pretendimeve të prokurorit së dhomave të specializuara të Kosovës karshi z. Thaci dhe z. Veseli, atëherë rikthimi amerikan me këtë datë, në fillim të shtatorit është mesazh i mirë që po hyjmë në një fazë të normalizimit. Takimi i mëhershëm i Brukselit nën ndërmjetësimin e Borellit dhe autoriteteve të Brukselit ishte pa formë dhe pa ngjyrë, por u shënua pas 18 muajve si proces i rikthimit në tavolinë.
Pa një rol amerikan, nuk ka shpresë për zgjidhje sepse janë tri nivele, Shtëpia e Bardhë, Këshilli për Siguri Kombëtare dhe State Departmenti, ku hyjnë në proces të pëëbashkët. Është dëshmuar edhe në procesin e Vjenës e edhe në Rambuje, që kjo treshe ka zgjidhur probleme, me apo pa pëlqimin e palës serbe, ruse apo të tjerëve.
Me rëndësi është që kësaj here procesi duhet të ecë me besim, që hap rrugë për finalizim dhe natyrisht që në përfundim të marrëveshjes për normalizim është edhe cështja e pranimit mes Kosovës dhe Serbisë, pranimi i shtetësisë së Kosovës, e që nënkupton edhe njohja e kufijve. Është moment i ri politik, mund të krijohet një momentum ku palët mund të pajtohen për këtë cështje dhe natyrisht nuk duhet ta injorojmë faktin se 120 mijë shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të hyjnë brenda territorit të kufirit të vetë, brenda Kosovës Vjeneze, në mënyrë që edhe ne të bëhemi të plotë pasi që jemi të pamjaftueshëm, por edhe shqiptarët atje të jenë pjesë e atdheut të tyre.

Presheva Jonë: Sa jeni i kënaqur me përfaqësimin e Republikës së Kosovës në përfaqësim, sa keni besim në z. Skender Hyseni dhe Avdullah Hoti?
Lutfi Haziri: Zotëri Hyseni e ka një rol specifik në këtë process. Ai është koordinator i Kosovws. Do të ndërtohet një platformë dhe një ekip negociatorësh, ku do të përfshihen të gjitha partitë politike, jo vetëm ata që janë në Qeveri, por domosdoshmërisht edhe PDK e Vetvendosje. Sa më i gjërë të jetë përfaqësimi, sa më konsensual e gjithpërfshirës, marrëveshja është më e qëndrueshme, kështu që duhet të bëhen përpjekjet maksimale që të gjitha palët të jenë të përfshira.
Rroli i Qeverisë nuk është i vetëm në bisedime, aty duhet të përfshihet Kuvendi, Presidenca por edhe opozita. Kjo është formula, atë që unë e shoh këtë kohë me skepticizëm është kosovo-centrizmi, të gjithë janë orientuar në kushtetueshmëri, ruajtje të sovranitetit të Kosovës së 17 shkurtit, që është pjellë e Kosovës së vitit 1974. Kjo nuk është e mjaftueshme për shqiptarët e Kosovës Lindore, nuk i përfshinë të drejtat e tyre politike, sepse ata kanë qenë të përjashtuar që nga viti 1956, më herët kanë pasur të drejtë të banojnë, të shkollohen e të punojnë kudo nëpër Kosovë, ndërkohë që sot të drejtat e tyre janë jashtëzakonisht të kufizuara. Unë janë një nga ata që mbështesë gjithmonë qëndrimin që duhet në tavolinë, pra përfundimisht të ketë një ridefinim, rishikim i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të mbyllet kaptina e tokave të shqiptarëve dhe serbëve që të mos ketë pretendime territoriale të serbëve në Kosovës. Ne nuk kemi pretendime territoriale, është e drejtë e jona dhe natyrisht do të duhej me negociata paqësore që kufiri i ardhshëm të jetë në Ristovc me Serbinë, në Çukarkë me Maqedoninë dhe në fshatin Bugarinë, nw pjeswn tjetwr tw kufirit.
Dalja e Kosovës në korridorin e dhjetë dhe tek hekurudha nuk është vetëm interes strategjik, sepse ne nuk po e bëjmë për këtë qëllim, ne po e bëjmë për qëllimin që shqiptarët t’i kthehen atdheut të tyre, sepse edhe parimi i kufijve komunal, kadastral apo edhe i numrit të populates, i jep të drejtë që këta shqiptarë janë kompakt, homogjen, në tokën e tyre dhe mund të jetojnë në atdheun e vetë, e që është Kosova.

Presheva Jonë: z. Haziri, keni raporte të vecanta me SHBA-të, të cilat sikur presidenti Rugova, i ruani me fanatizëm. Në këtë kontekst, a besoni se e keni përkrahjen e amerikanëve në cështjen e bashkimit të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës?
Lutfi Haziri: Marrëdhëniet e LDK-së dhe të miat me SHBA-të tash e 30 vjet janë të vecanta. Ne nuk kemi marrëdhënie të kushtëzuara, por partneriteti dhe jemi falënderues në rolin e tyre në cështjen e shqiptarëve, e të Kosovës në vecanti. Gjithmonë kemi qenë falenderues për politikën mbi-partizane në Kongres, në politikën e cdo presidenti, pavarësisht cilës parti i takon, si dhe shumë diplomatëve që kanë zbatuar politika të Amerikës tonë. Gjilani ka marrëdhënie të vecanta me Soux City në Ajova, sikurse edhe me disa qytete në Arkansas, pastaj me disa Komuna që janë pak më të mëdha se qytete apo komuna dhe unë personalisht në marrëdhënie pune, gjithmonë jam falemderues e bashkëpunes, pasi që duke qenë ndër negociatorët në Vienë, ne e kemi parë që sa e rëndësishëm është SHBA në zgjidhjen e problemeve. Pa ta nuk mund të lëvizet para si Republikë apo si shtet. Tani gjithcka që është në interes të Kosovës dhe stabilitetit në Ballkanin perëndimor, politika amerikane është proaktive, nuk e pengon, por përkundrazi, inkurajon zgjidhje paqësore, pa konflikte e me bisedime.
Ne nuk mund të sillemi sikur Serbia nuk është fqinj i Kosovës, derisa 72% e territorit të vendit kufizohet pikërisht me Serbinë, tri shtetet tjera e kanë 28 pqërindëshin tjetër. Ne nuk kemi cështje të hapura me fqinjët tjerë, por mos të harrojmë se ne i kemi humbur mbi 8 mijë hektarë territor me Maqedoninë, që i bie se në territorin mes Vitisë dhe Gjilanit është paguar cmimi i territorit. Ne nuk jemi duke humbur territor në Kosovë, por duke përfaqësuar politika që zgjidhin probleme të njerëzve. Në anën e veriut, Serbia dëshiron edhe në veri edhe në jug të ketë kufirin në Moravë ose në Ibër, që është e papranueshme, e patolerueshme e që që nuk guxon të ketë asi lloj marrëveshje.

Presheva Jonë: Kryetar, si i komentoni ata që aq lehtë cilësojnë njerëz me epitete të rënda si tradhtarë e antikombëtarë? Juve shpesh ju akuzojnë si tradhëtar për shkak se e shtyni përpara idenë që Lugina t’i bashkohet Kosovës, e Leposaviqi me ato 17 fshatrat serbe t’i kalojë Serbisë. Lidhur me këtë cështje u prononcua edhe homologu juaj nga Skenderaj, Bekim Jashari, djali i familjes legjendare nga Prekazi, i cili tha se deputetët të cilët e ngrisin dorën për bashkimin e Luginës me Kosovë janë heronjë të kohës tonë, e assesi askush nuk guxon t’i quaj tradhtarë. Cili është komenti juaj?
Lutfi Haziri: Të gjithë ne që jemi pinjollë, apo përfaqësues të familjeve që kauzën kombëtare e shohin në dimension tjetër. Në një flamur, një atdhe e në një territor, ne mendojmë kështu, jo vetëm Bekim Jashari si kryetar i Skenderajt, por edhe të gjithë të tjerët kur e diskutojmë, pajtohen se problemi i shqiptarëve në Lindje të Kosovës duhet të zgjidhet, e zgjidhja më e mirë është bashkimi me Republikën e Kosovës. Jo vetëm pse ekziston një Referendum atje, por është edhe një zotim i politikës së Prishtinës e Tiranës që ta mbështesin këtë cështje. Të gjitha ato parti politike e individë që janë thirrur në emër të bashkimit kombëtar, të gjitha ato gazeta që janë thirrë në emër të kombit, e madje janë quajtur kombëtare, sot janë bërë kosovocentrikë, janë strukur në shpirtin e tyre të ngushtë, duke e parë Kosovën vetëm në katundin e vet. Aq më keq, duke e parë me dylbi prej largu. Kjo për mua është fatkeqësi. Zhargoni e fjalori kanë degraduar dhe nuk i marrë si seriozë deri në atë pikë sa vërtetë kanë shkel mbi kauzën e vet, sepse të proklamosh 30 vjet kombëtaren, bashkimin kombëtar, e të grumbullosh vota në emër të bashkimit kombëtar, duke luftu për lekun si monedhë të përbashkët, edhe për telefoni të përbashkët, e në anën tjetër të pengosh që 120 mijë shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit së paku të thonë se duan bashkim me Kosovën, është në kundërshtim me atë që e kanë proklamuar. Unë jam pinjoll i një familje që qe 100 vjet në Anamoravë e Karadak, ka luftuar për këto troje. Jam i votuar drejtpërdrejt prej qytetarëve të Gjilanit tash e 20 vjet, të gjitha zgjedhjet i kam fituar, kam legjitimitet e background me folë.

 

SHPËRNDAJE