Bujanoc, 6 janar – I jepet lamtumira e fundit profesorit të nderuar Zeqirja Islamit Bujanoc, 6 janar – Të premten, iu dha lamtumira e fundit profesorit të nderuar Zeqirja Islami, i cili u varros në orën 13:00, në varrezat e qytetit të Bujancit. Me rastin e ndarjes nga jeta të profesorit të nderuar Zeqirja Islamit, i njohur në popull edhe si prof. Zekolli, shkolla e mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoc, të premten, në orën 11:00, mbajti një mbledhje komemorative, në kujtim të angazhimit dhe të kontributit të tij për më se katër dekadash dhënë arsimit shqip – vatrës së diturisë. Në këtë mbledhje komemorative morën pjesë profesorë të shkollës, familjarë, miq, shokë, dhe udhëheqës të institucioneve lokale, për të kujtuar jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë.
Drejtori i shkollës Zejni Fejzullahu: Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta e profesorit, Zeqirja Islami, babait, të dashur, vëllait, kushëririt, gjyshit, kolegut të respektuar na tronditi të gjithëve pa masë.
Fillimisht, lidhur me jetën, veprimtarinë dhe kontributin që profesori i nderuar i dha arsimit të komunës sonë, foli drejtori i kësaj shkolle, Zejni Fejzullahu, i cili theksoi: Lajmi i hidhur për ndarjen e papritur nga jeta e profesor Zekollit, na ka pikëlluar mjaft, jo vetëm ne mësimdhënësve, por edhe nxënësve nëpër gjenerata të ndryshme që i ka mësuar profesori, e veçmas e ka pikëlluar shumë familjes së tij, dhe të gjithë bashkëqytetarëve dhe të gjithë brezave që profesori i nderuar u dha dije dhe i mishëroi ata me dashurinë më të madhe për arsimim. “Me kontributin e tij për më se katër dekadash dhënë arsimit – vatrës së diturisë profesor, Zekolli ka punuar me pasionin më të madh në edukimin e të rinjve dhe të rejave, duke na mishëruar me dashurinë ndaj atdheut dhe për arsimimin e rinisë shqiptare të këtij rajoni”, theksoi Fejzullahu, duke shtuar se “ne nxënësit e tij, krenohemi me punën e tij të devotshme prej mësimdhënësi dhënë shkollës sonë, dije të cilën e transmetonte natyrshëm edhe tek nxënësit e shkollës dhe tek të gjithë brezat që profesori i nderuar u dha dije dhe u reflektoi dashuri për arsimim”.
Edhe profesori Hasan Mustafa duke theksoi: “Edhe unë dëshiroj të ndaj me ju dhembjen për humbjen e profesorit të nderuar mr. Zekolli, pasi që përveç si mësimdhënës që kemi punuar bashkërisht për më se tri dekadash, unë e kam pasur edhe fqinj të mirë”. “Prof. Zekollin, nxënësit, miqtë, farefisi dhe popullata e këtij rajoni e kujtojnë si profesor të mirë, intelektual të mirëfilltë, e mbi të gjitha si njeri të afërt, komunikues dhe miqësor. Shëmbëlltyra e tij prej edukatori, mësimdhënësi e pedagogu, do të mbetet, gjithmonë, në zemrat tona, si një kujtim i paharruar”, theksoi prof. Hasani, në mbledhjen komemorative, duke shtuar se “Profesori Zekoll, vërtetë personifikonte mësimdhënësin e vërtetë sepse na pati mishëruar me vullnet të paepur dhe me një përkushtim të madh në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj, ngase kjo vatër e diturisë ka nxjerrë edhe kuadro me vlera në komunën tonë”. Ndaj, theksoi më tej Hasani, profesor i nderuar për ta ruajtur kujtimin e dinjitetshëm për ty, ne mësimdhënësve na mbetet të angazhohemi me devotshmëri duke u zotuar se do t`i ruajmë me nostalgji sugjerimet, mësimet dhe këshillat që na i kanë dhënë mësuesit tanë të shtrenjtë, siç ishit të tillë edhe Ju.
Në këtë mbledhje komemorative foli edhe profesori në pension, Xhahit Ramadani, njëherësh dhe ish-drejtor i Televizionit të Bujanocit dhe këshilltar pedagogjik i rajonit tonë. Ramadani theksoi: “Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta e profesorit, Zeqirja Islami, babait, të dashur, vëllait, kushëririt, gjyshit, kolegut të respektuar na tronditi të gjithëve pa masë. “E kam shumë vështirë të pajtohem se po mbaj fjalë mortore për mikun më të afërt, kolegun madhështor. E kam të pamundur ta bind vetën dhe Juve se më nuk është në mesin tonë njeri ndër figurat më markante të arsimit shqip në komunën e Bujanocit dhe Luginën e Preshevës. Ai ishte profesori i parë shqiptar i Biologjisë në komunën e Bujanocit dhe magjistri i parë i Biokimisë”, njoftoi Ramadani, duke evokuar kujtime dhe treguar për veprimtarinë e tij gjatë jetës: “Zeqirja Islami ishte pishtar i arsimit në komunën e Bujanocit dhe la gjurmë të thellë e të pashlyeshme në arsimin fillor e të mesëm. Punoi si arsimtar-profesor i Biologjisë në Raincë,Tërnoc, Bujanoc e në Preshevë. Zekolli si profesor ishte Model i mësimdhënësit, profesor i Epokës! I ndjeri ishte edhe inspektor i arsimit në komunën e Bujanocit. Si ekspert i Biologjisë dhe profesor i dalluar nga Fakulteti Filozofik i Nishit u zgjodh anëtar i komisioni për dhënien e provimit profesional. Nxënësit i këshillonte ta, duan shkollën dhe dijen, ta puthin librin, të mësojnë e të studiojnë, të bëhen të vyeshëm për vete, prindërit, vendlindjen e popullin”. U lindë në vitin 1943, në Letovicë të Bujanocit. Shkollën fillore e mbaroi në Raincë, Shkollën e mesme bujqësore në Leskoc, Shkollën e lartë pedagogjike, dega Biologji-Kimi, në Nish. Studimet e biologjisë i përfundoi në Prishtinë, ndërsa studimet pasuniversitare të Biokimisë në Zagreb. Fëmijët i deshi shumë duke patur shumë kujdes për ta. Me rrogë të profesorit arriti të shkolloj 6 vajza e dy djem. Gjithë kanë mbaruar fakultet. Ndër ta ka mjekë, specialistë, arkitektë, udhëheqës bankash, profesorë, magjistër të ekonomisë. Të gjithë janë të punësuar. Vepra e magjistrit Zeqirja Islamit do të jetoi gjatë, ndërkaq puna dhe entuziazmi i t`i do të na shërbejnë si frymëzim në rrugëtimin tonë pa të, por drejt sukseseve të reja. Të nderuar familjar, mbesa e nipa, të dashur miq, Edhe në këto momente të rënda për Ju dhe për ne, jemi bashkë për të ndarë dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për mbetjen pa babanë vëllanë, gjyshin, kushëririn, kolegun trim e besnik, mikun e dashur dhe profesorin legjendar. Do të përpiqemi që mos dorëzohemi para humbjes së madhe. Por, të ndihemi krenar që e patëm në mesin tonë. Ndihemi krenarë që bashkërisht punuam në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri. Nga fara që na hodhëm dolën shumë mjek, inxhinierë, profesorë, juristë e ekonomistë etj., kuadro që rrezatojnë shpresë! Le të mbetet vepra e tij mësim dhe inspirim i përhershëm për ne. I përjetshëm qoftë kujtimi për Magjistër Zeqirja Islamin. Zoti e mëshiroftë! Ndërsa në fjalimin e tij mortor në varreza, profesori në pension Xhevat Fejzullahu, njëherësh dhe ish-drejtor i kësaj shkolle theksoi: “Njëri ndër intelektualët e parë të komunës së Bujanocit, prof. mr. Zeqirja Islami-Zekolli, njëherësh dhe pishtar i arsimit dekada me radhë, ka ndërruar jetë në moshën 73 vjeçare, në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes”. “Magjistri i shkencave biologjike Zeqirja Islami, i njohur në popull si prof. Zekolli, punoi si mësimdhënës nëpër disa shkolla të Komunës së Bujanocit, duke ushtruar edhe misionin e inspektorit komunal për arsim”, theksoi Fejzullahu, duke shtuar se “ata që patën rastin ta njohin për së afërmi prof. Zekollin, e kujtojnë si mësues të mirë, intelektual të mirëfilltë, e mbi të gjitha si njeri të afërt, komunikues dhe miqësor. Vdekja prof. Zekollin e gjeti në pension, në moshën 73 vjeçare. Shëmbëlltyra e tij prej edukatori, do të mbetet, gjithmonë, në zemrat tona, si një kujtim i paharruar”. Lajmi për ndarjen e papritur nga jeta i pikëlloi të gjithë ata që e njihnin dhe kishin punuar me profesor Zekollin, theksoi më tej Fejzullahu dhe shtoi se “profesor Zekolli do t`i mungojë shumë, sigurisht familjes së tij, por ai do t`i mungojë shumë edhe të gjithë bashkëqytetarëve dhe të gjithë brezave që profesori i nderuar u dha dije dhe i mishëroi ata me dashurinë më të madhe për arsimim”. Në fund në emër të shkollës së mesme “Sezai Surroi”, theksoi Fajzullahu, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së profesorit, Zeqirja Islamit, i cili përveç që ishte një arsimdashës i madh dhe i dinjitetshëm, ishte edhe atdhetar i madh shqiptar. Ndaj, po ndahemi nga Ju profesor i nderuar me kurajën: Profesor pusho i qetë se me punën tënde të dinjitetshme mburren shumë gjenerata! I përjetshëm qoftë kujtimi për Ty, i dashuri profesor! Zoti të mëshiroftë! I ndjeri, prof. Zeqirja Islami, la pas vetes tetë fëmijë (dy djem dhe 6 vajza) të gjithë ta arsimuar dhe të përmendur për aktivitete të ndryshme me interes shoqëror e kombëtar. Familja Islami, nga Letovica e Bujanocit, ka dhënë emra të përmendur në fushën e shkencës dhe institucioneve arsimore deri te kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, dr. Hivzi Islami./ Metali Krasniqi