Orhan Xhemajli nga Kosova, i cili bashkë me ekipin e tij të mundjes kishte qenë në Turqi, ka rrëfyer në emisionin “Momenti”, se si i mbijetuan tërmetit vdekjeprurës.

Xhemajlit dhe ekipit nga Kosova, jeta u dha një shans të dytë. Ata ishin duke qëndruar në hotel në momentin kur tërmeti e goditi atë zonë me një magnitudë 7.8 ballë.

Për fat të mirë, ajo ndërtesë nuk ishte rrëzuar.

Ai ka treguar se si nga hoteli që po qëndronin i ka parë pak metra më larg ndërtesat shumëkatëshe që rrëzoheshin për pak sekonda para syve të tyre.

“Në shtrat kam qenë në katin e tretë, sportistat në katin e tretë. Epiqendra ka qenë në atë qytet, kemi qenë në epiqendër. Ka qenë tmerr, një dridhje shumë, kam menduar që është magnituda e vogël e ndalet. Jam çuar prej shtratit përsëri, më ka rrëzuar, kam dalë në dritare të shoh, e kam parë një ndërtesë para syve të mi u rrënua”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka treguar se bashkë me ekipin kanë ndihmuar sa kanë mundur njerëz që ishin dëmtuar nga tërmeti.

Gjendja ishte shumë e rëndë edhe për shkak të motit të keq.

“Pastaj i morëm rrobat, dolëm. Zbritëm u mblodhëm me një vend para ndërtesës që u rrënua. U dëgjuan zëra të ndryshëm, dolën njerëz një nga një. Pa panikë, duke ndihmuar njerëz sa kanë mundur, prindërit duhet të jenë krenarë me ta. Shumë të qetë, sjellja e tyre më ka fasionuar. Kemi ndihmuar sa kemi mundur, ka rënë shi. Ka qenë ftohët -4 deri në -6. Rrobat na kanë bërë 50 kg nga lagështia”, ka thënë ai.

Ai ka rrëfyer edhe një moment interesant që ka mundur edhe t’i kushtonte me jetë.

Xhemajli pas daljes nga hoteli e kishte vërejtur se e ka harruar pasaportën, dhe përkundër rrezikut për një goditje të dytë nga tërmeti, ishte kthyer ta marrë atë brenda hotelit.

“E kam harruar pasaportën, jam kthyer e kam marrë, kam rrezikuar. Nuk kam menduar asgjë”, ka thënë ai.

SHPËRNDAJE