11 qershor, 2022 – Në prag të ndeshjes për Ligën e Kombeve, Greqi – Kosovë, e cila zhvillohet të dielën, presidenti i Federatës greke të futbollit, Takis Baltakos ka shtruar darkë për delegacionin e FFK-së si dhe delegatin e ndeshjes nga UEFA. Në darkë bashkë me presidentin Agim Ademi ishin edhe nënkryetari Bakir Burri dhe u.d. sekretari i përgjithshëm, Taulant Hodaj, drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala.
Kreu i FF të Greqisë i ka dëshiruar mirëseardhje në Volos delegacionit të FFK-së dhe ka shprehur kënaqësinë që tashmë dy federatat dhe dy vendet kanë krijuar raporte të ngushta miqësore. Ndërkaq, presidenti Ademi e falënderoi kreun e federatës greke për mikpritjen, teksa uroi që ndeshjen e nesërme ta fitojë skuadra që e meriton me lojën që shfaq. Në fund të darkës u shkëmbyen edhe dhurata.