Gjatë një vizite në stadiumin “Liman Gega” në Malishevë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrullah Çeku, dhe profesor Bylbyl Sokoli, kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, patën një bisedë që ngre pikëpyetje të shumta mbi kompetencat dhe seriozitetin e zgjedhjeve politike të Kurtit.
Ministri Çeku e informoi kryeministrin për progresin e punimeve në stadium, por ajo që ra në sy ishte ndërhyrja e profesor Sokolit, i cili tentoi të bindte kryeministrin se në stadiumin “Liman Gega” mund të zhvilloheshin ndeshje ndërkombëtare. Argumenti i tij u mbështet në faktin se stadiumi ka rrathë atletike, por ky pretendim ishte i pasaktë dhe tregoi një mungesë të theksuar të njohurive mbi kriteret për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Për të organizuar ndeshje ndërkombëtare, stadiumet duhet të përmbushin kritere strikte të UEFA-s dhe FIFA-s. Një stadium duhet të jetë të paktën i kategorisë 4, duke përmbushur kushte të tilla si kapaciteti minimal i ulëseve, ndriçimi i standardizuar, dhomat e zhveshjes për lojtarët dhe arbitrat, si dhe teknologjia VAR. Prania e rrathëve të atletikës nuk është një kriter vendimtar dhe nuk përzgjedh një stadium si të përshtatshëm.
Si shembull, stadiumi i Llapit – i cili nuk ka rrathë atletike – i plotëson kushtet për ndeshje ndërkombëtare. Kjo tregon qartë se profesor Sokoli “ja ka futur kot” në deklaratën e tij, duke shpërfaqur një mungesë të theksuar të kompetencës profesionale.
Problemi i përzgjedhjes së kandidatit
Gabimi i Sokolit nuk është vetëm i tij, por pasqyron një problem më të gjerë në përzgjedhjen e kandidatëve nga Lëvizja Vetëvendosje. Albin Kurti ka promovuar një imazh të qeverisjes meritokratike, por vendosja e profesor Sokolit në listën për deputetë ngre dyshime mbi sinqeritetin e këtij parimi. A është profesor Sokoli një zgjidhje e mirëfilltë për përfaqësimin e sportit apo një emër i vendosur për të mbuluar një vakum politik?
Deklarata e tij në lidhje me stadiumin çon në konkluzionin se ai nuk është i përgatitur për një detyrë kaq të rëndësishme si përfaqësimi në Kuvendin e Kosovës. Si mund të pritet që profesor Sokoli të hartojë politika të efektshme për sportin, kur nuk zotëron njohuri të mjaftueshme mbi standardet bazike të infrastrukturës sportive?
Albin Kurti: 🏟 Stadiumi i qytetit “Liman Gegaj” në Malishevë është një nga investimet e shumta
Vizita në stadiumin “Liman Gega” duhet të kishte qenë një mundësi për të treguar progres dhe angazhim serioz në fushën e sportit. Në vend të kësaj, ajo shënoi një moment që shpërfaqi mungesën e profesionalizmit dhe seriozitetit të disa prej kandidatëve të propozuar nga kryeministri Kurti.
Çështja e profesor Sokolit duhet të jetë një moment reflektimi për Vetëvendosjen dhe një thirrje për qeverisjen që të ruajë premtimin e saj për meritokraci dhe përfaqësim të denjë në institucione. Sporti në Kosovë meriton më shumë se kaq.