Kryeministri Albin Kurti i dha mërgatës epitete si “punëtore” e “patriotike”, ndërsa u kërkoi bashkatdhetarëve jashtë vendit që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë.
Ai u tha atyre në mbledhjen e sotme të Qeverisë se “kanë mbetur vetëm tetë ditë deri në përmbylljen e afatit për regjistrim, për votim jashtë vendit”.
“Mos e lini ditën e fundit”, porositi Kurti.
“Po i drejtohem mërgatës sonë nga mbledhja e Qeverisë sepse vota e tyre ka qenë përcaktuese për përbërjen e kësaj qeverie, siç ka qenë edhe kontributi i saj përcaktues për fatin e mirëqenien e vendit tonë ndër vite”, tha ai.
Kurti kujtoi se ata mund të votojnë edhe në ambasadat e konsullatat e vendit në shtetet ku jetojnë.
Regjistrimi dhe votimi, ai tha se “nuk merr më shumë se pesë minuta kohë”.
Ndërsa afati i regjistrimit për votim jashtë vendit është afruar (26 dhjetor), janë mbi 30 mijë qytetarë jashtë vendit që janë regjistruar.