Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka tërhequr vërejtjen se trupat e jashtme të udhëhequra nga NATO-ja, rrezikojnë të shihen si një “forcë okupuese”, nëse vazhdojnë sulmet ajrore që shkaktojnë viktima civile.

Viktimat civile, nga sulmet e kryera nga NATO-ja, gjatë kërkimit të militantëve talibanë, janë burimi kryesor i përplasjeve ndërmjet Karzait dhe aleancës.

Komentet e presidentit afgan, në konferencën e sotme për shtyp në Kabul, u bënë një ditë pasi nga një sulm ajror në jug të Afganistanit, gjatë fundjavës, sipas zyrtarëve afganë, janë vrarë 14 civilë.

Karzai tha se “populli i Afganistanit nuk ka më tolerancë për sulme të këtilla”.

NATO-ja thotë se sulmi ajror në provincën Helmand, të dielën, ishte ndërmarrë pasi një patrullë ishte sulmuar dhe ka kërkuar falje për viktimat civile.

SHPËRNDAJE