Dje janë mbushur 14 vjet nga vrasja e Ismet Jasharit – Komandant Kumanova, nga forcat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.Ismet Jashari lindi në fshatin Orizare të komunës së Kumanovës, në vitin 1967, dhe vdiq më 25 gusht 1998 në Luzhnicë.
Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të bëjë që shumë djem e vajza të radhiten nën emblemën e kësaj ushtrie të lavdishme. Ndër ta ishte edhe Ismet Jashari, djalë i ri dhe shumë modest, i cili me veprën e tij ia ngriti lavdinë familjes, Orizares, UÇK-së dhe mbarë kombit.
Në vitin 1988 u detyrua të emigrojë nga vendi për në Zvicër për shkak të përndjekjes policore, ku e vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike me shume shokë të tjerë të idealit.
Në diasporë, nëpër shumë tubime, demonstrata e ndeja nëpër oda, Ismeti do të shprehet: “Liria e një populli fitohet vetëm e vetëm me gjak”. Këtë dëshirë dhe ideal do ta bëjë realitet. U tha lamtumirë të gjithëve me radhë: gruas, vajzave, farefisit, shokëve dhe miqve, të gjithëve që i donte dhe e donin, duke iu përgjigjur thirrjes “ATDHEU NË RREZIK – VENDLINDJA THËRRET”, duke u radhitur ndër të parët luftëtarë në UÇK.
Me të ishin Fatmir Limaj, Haxhi Shala, Xhevë e Femi Lladrovci e shumë patriotë të tjerë, të cilët do të vinin nga diaspora për tu futur në zonat e okupuara të Drenicës, aty ku Komandanti legjendar Adem Jashari la amanet, duke thënë se “Kurrë këto troje nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë sllave, kanë qenë dhe do të jenë përjetë e mot shqiptare”.
Më 25 gusht, 1998 gjatë një aksioni të guximshëm në Kleçkë, ballë për ballë me ushtrinë serbe ra dëshmor për të mos vdekur kurrë.
Me 25 gusht 2009, në 11 vjetorin e rënies së tij, ish-presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi Ismet Jasharin me urdhrin “Hero i Kosovës”.