Kuvendi kreu obligimin moral, kombëtar e ligjor

Kuvendi i Kosovës i ka miratuar në parim tri projektligjet e propozuara nga qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përmes këtyre tri projektligjeve, po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes është miratuar me 101 vota, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës me 98, kurse Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës me 96 vota.

Këto projektligje janë mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve të Listës Serbe.

 

 

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha tha se në momentin që të krijohen kushtet e favorshme politike dhe vendimmarrëse, do të vazhdohet me procedimin e ndryshimeve kushtetuese për të ndryshuar edhe emri i FSK-së.

Berisha tha se me këtë projektligj parashihet që të ketë kompetenca të reja në mbrojtjen e territorit të Kosovës, e cila do të jetë e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit.

Berisha: Do t’ia ndryshojmë emrin

“Është me rëndësi të theksohet se në momentin kur të krijohen kushtet e favorshme politike, vendimmarrëse ne do të vazhdojmë që edhe t’i procedojmë ndryshimet kushtetuese që të ndryshohet edhe emri i FSK-së“, tha ai.

Debati para votimit

Kryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti janë përplasur gjatë seancës së Kuvendit teksa po votohej mocioni që ligjet për FSK-në të hyjnë në rend dite të parat.

Pasi që për herë të parë nuk kaloi mocioni, ishte kryeministri Haradinaj, i cili i tha Halitit që kryesonte seancën “ Përsërite votimin, a je në gjumë a çka”?

Por reagimi i Halitit ndaj kryeministrit Haradinaj ishte i ashpër duke i thënë “Kqyri punët tua”.

“S’ka nevojë kryeministri të më tregojë punët e Kuvendit, unë nuk jam argat i askujt e as i Qeverisë”, i tha Haradinajt Haliti.

Berisha kërkoi nga deputetët që ta votojnë ligjin për ushtrinë

Ministri i FSK-së Rrustem Berisha kishte prezantuar para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, duke kërkuar nga deputetet që ta votojnë atë.

Berisha ka thënë se kjo është bërë sipas Kushtetutës.

“Kjo është bërë në kuadër të Kushtetutës që do të mundësojë riorganizimin e Ministrisë. Ky projektligj parasheh riorganizimin e MFSK-së. Ministria e Mbrojtjes do të jetë e përbërë nga shërbyesit civil dhe personeli ushtarak”, tha Berisha.

Ai tha se të gjitha ndryshimet do të bëhen sipas rishikimit të sektorit të sigurisë që janë të dhe që janë të parashikuara në planin e tranzicionit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha se partia e tij e përkrah formimin e ushtrisë dhe se do e votojë projektligjin që e ka prezantuar ministri i FSK-së, Rrustem Berisha.

Hoti tha se ashtu siç ka sjell paqe dhe stabilitet krijimi i shtetit të Kosovës, ashtu do të sjell edhe formimi i ushtrisë.

Në fjalimin e tij, Hoti tha se ka pasur përpjekje dhe ka, për të akuzuar pa bazë dhe për nxjerrje të përfitimeve personale.

Sipas tij ka pas përpjekje për të marrë meritat për themelimin e ushtrisë.

“LDK gjatë kohës sa ka udhëhequr Qeverinë ka bërë përpjekje të pandalshme që të ketë ushtri të mirëfilltë. Themelimi i ushtrisë është një arritje edhe e SHBA-ve.  Kjo forcë do të punojë për sigurinë e te gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Ju ftoj të mbështesni krijimin e kësaj force. Kjo forcë meriton të jetë pjesë e NATO-s.  Askush nuk duhet t’i druhet themelimit të kësaj force”, tha Hoti.

Lista Serbe s’e “përballon” Ushtrinë e Kosovës, braktisë seancën

Lista Serbe e ka braktisur seancën e Kuvendit të Kosovës, pak minuta para se të hidhen në votim tri projektligjet për Ushtrinë.

Njëri nga deputetët e Listës Serbe mbajti një fjalim të shkurtër ku shprehi qëndrimin kundërshtues të Listës Serbe, para se ky grup të braktiste seancën.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë gjatë seancës se ndryshimi i ligjeve për FSK-në është në kundërshtim me aktet ndërkombëtare për Kosovën.

Konjufca kërkon që ushtria të ketë “nëndetëse për presidentin”

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se dikur Hashim Thaçi i akuzonte se e pengojnë formimin e ushtrisë.

Ai tha se kryeministri i atëhershëm nuk e ka sjell FSK-në në këtë formë, sepse nëse do të veprohej njëjtë, do të përkrahnin.

“Është moment i rëndësishëm që e kam prit shumë vite, që të qartësohet një mjegull që e pati shpërndarë Hashim Thaçi atëherë kryeministër, tash president. Pas asaj që bëri Lista Serbe këtu, pas koordinimit të saj ke Serbinë. Këto janë veprime të koordinuara nga Vuçiq dhe Beogradi. Thaçi atëherë akuzojke opozitën, na thoshte se ju nuk po dëshironi të formoni ushtrinë. Na kanë hyrë në hak për 4 vjet, keni rrejt e keni mashtru. Kadri Kastrati dje tha qe opozita e atëhershme e ka pengu formimin e ushtrisë. Po të kishte ardh FSK sikur sot, ne do të vepronim sikur sot. Por, kryeministri i atëhershëm nuk e sillte FSK-në sikur sot”, tha ai.

Konjufca në fjalën e tij madje edhe ka ironizuar duke e pyetur ministrin e FSK-së Rrustem Berisha a kanë menduar që “ushtria të ketë nëndetëse për presidentin pasi që po del me jahta”.

Haradinaj: Të gjithë kanë arsye të ndihen të sigurt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se me të tri ligjet FSK do ta ketë detyrë mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, mbrojtjen e qytetarëve dhe komuniteteve, si dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare.

Haradinaj në seancën e Kuvendit, ka siguruar të gjithë qytetarët se do të jenë të sigurt.

Osmani deputetëve serbë: Ushtria do t’iu mbrojë nga kriminelët në veri

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani tha se seanca e sotme do të kryejë një punë që është vonuar.

“Në fillim të vitit 2016 kam qëndruar në këtë foltore që të procedohet me planin B pra me ndryshime ligjore, meqë nuk bëhej  ndryshe për shkak të bllokimit të serbëve”, tha ajo.

Osmani tha se kjo mund të bëhet vetëm nëse kanë  përkrahjen e SHBA-ve dhe  vendeve tjera në NATO.

Deputetja e LDK-së tha se vullneti i 10 deputetëve nuk mund të shkel vullnetin e 100 deputetëve tjerë.

“Ju nuk rrezikoheni nga ushtria, por, ju dhe ne rrezikohemi vetëm nga bandat në veri. Por kjo ushtri do të iu mbroj juve nga ata kriminelë, edhe pse ju dolët nga salla”, tha Osmani

Kurse, Fatmir Xhelili tha se PDK përkrah këtë projektligj dhe do ta japin kontributin e tyre në lexim të dytë.

Xhelili: Lista serbe nuk përfaqëson të gjithë qytetarët e komitetit serb

“Më vije keq që pjesëtarët e listës serbe u larguan nga salla para votimit të projektligjit, por për shkak të korrektësisë lista serbe nuk përfaqëson të gjithë qytetarët e komitetit serb të Kosovës sepse ka shumë qytetarë të komunitetit serb të Kosovës e përkrahin FSK, janë pjesëtar të FSK-së dhe ka shumë kërkesa që ata edhe në të ardhmen të jenë pjesëtar të FSK-së, por fatkeqësisht disa prej tyre janë të kërcënuar dhe me padurim e presin mundësinë që shteti jonë t’i krijojë kushte të evitojë ato kërcënime që ata të bëhen edhe numër më të madh në FSK, për të cilën kanë respekt”, tha ai.

Hoti tregon kush është kundër ushtrisë së Kosovës

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se vetëm ata që janë kundër NATO-s, janë kundër mandatit të ri që duhet të ketë Forca e Sigurisë së Kosovës dhe vetëm ata që janë kundër interesave euro-atlantike në Kosovë dhe rajon, janë kundër që shteti i Kosovës të ketë ushtri.

Hoti në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se është momenti që të gjithë të bashkohen pasi po merret një vendim për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.

Transformimin e FSK-së e kanë mbështetur Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Socialdemokrate, Lidhja Demokratike  e Kosovës, Nisma Socialdemokrate si dhe partitë e komuniteteve joserbe.

Pas votimit në Kuvend, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi vetëm dy fjali në profilin e tij në Facebook. Aty ai i cilësoi pjesëtarët e FSK-së si ushtarë të Kosovës.

SHPËRNDAJE