Në këtë aspekt, Presidenti i Federatës, Agim Ademi pati sot takime të veçanta, fillimisht me futbollistët e pastaj me shtabin teknik të ekipit, e ku i pranishëm ishte edhe nënkryetari Bakir Burri.
Në takim me lojtarët, Presidenti Ademi i falënderoi ata për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për ekipin kombëtar, duke shfaqur besimin e fuqishëm të tij, Komitetit Ekzekutiv por edhe të gjithë Federatës së Futbollit kundrejt ekipit. Njëherësh Presidenti Ademi kërkoi nga futbollistët që të vazhdojnë të jenë të bashkuar dhe të luajnë me përkushtim e përgjegjësi më të madhe sepse e përfaqësojnë shtetin tonë, që u krijua me sakrificë dhe mund të madh, prandaj edhe duhet ta ruajnë dhe ta prezantojnë atë me dinjitet e përgjegjësi, duke mos u ndalur asnjëherë së luftuari për të arritur ëndrrën tonë të përbashkët.
Po ashtu, Presidenti Ademi u shpreh në mbrojtjen e të gjithë atyre futbollistëve që nuk kanë mundur të jenë kësaj radhe me ekipin, edhe pse FFK ka qenë shumë e përkushtuar, duke mos kursyer asgjë për t’i sjellë ata në Kosovë.
Presidenti Ademi me këtë rast falënderoi edhe institucionet shtetërore për angazhimin e tyre për ta sjellë Amir Rrahmanin në Kosovë, si Ministrinë e Sportit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadën italiane në Prishtinë, ambasadoren e Kosovës në Romë, Federatën e Futbollit të Italisë si dhe UEFA-n e FIFA-n që kanë qenë të involvuara në këtë rast, pas vendimit të autoriteteve shëndetësore të Regjionit të Napolit për të mos e lejuar atë të udhëtojë në Kosovë. Prandaj, kritika ndaj këtyre futbollistëve është krejtësisht e padrejtë, sepse ata futbollistë janë vlerë e Kosovës.
Presidenti Ademi kërkoi nga futbollistët që ta mirëkuptojnë opinionin e drejtë të njerëzve dashamirës dhe të tifozëve sepse ata e duan rezultatin e tyre dhe të Kombëtares tonë dhe në çdo humbje dëshpërohen, ngase secili nga ta e ka nga një pjesë të Kosovës dhe të suksesit të saj.
Në anën tjetër edhe futbollistët u shprehën se pavarësisht zhgënjimit të madh të të gjithëve, nuk ka vend e as kohë për dorëzim apo hap prapa. Futbollistët tashmë kanë lënë prapa tyre rezultatin e mbrëmshëm dhe janë fokusuar për ndeshjet e radhës në kërkim të maksimumit që nga ndeshja e së dielës ndaj Sllovenisë.
Atmosferë e njëjtë ishte edhe në takim me shtabin teknik. Presidenti Ademi shfaqi besimin e tij ndaj përzgjedhësit Bernard Challandes dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke kërkuar nga ta që të jenë edhe më vigjilentë në këtë periudhë jo të lehtë për ekipin dhe që të jenë të gatshëm për të ndihmuar futbollistët ta përballojnë këtë situatë, si dhe që t’u japin mundësi të gjithëve dhe të krijojnë ekipin më të mirë.
Në anën tjetër përzgjedhësi Challandes në këtë takim tha se ai e merr përgjegjësinë për rezultatin e djeshëm, por po ashtu u shpreh i gatshëm dhe entuziast për të vazhduar punën me këtë ekip dhe për të provuar të marrë maksimumin nga ky grup i lojtarëve ndaj të cilëve ai shprehu besim të plotë.
Futbollistët bashkë me shtabin teknik premtuan që me përkushtim dhe duke e dhënë maksimumin do të vazhdojnë ta bëjnë krenar popullin e Kosovës, tifozët tanë Dardanët dhe Presidentin Ademi. Ata po ashtu e falënderuan Presidentin Ademi dhe FFK-në për përkrahjen dhe kushtet krijuara.