Kuvendi votoi edhe për projektligjin e tretë dhe të fundit nga pakoja e ligjeve që e bëjnë Kosovën me ushtri.
Është votuar me 107 vota pro Projektligji për Shërbimin në Forcën e Sigurisë, njofton agjencia e lajmeve “Presheva Jone”
Projektligji për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, i fundit nga pakoja e projektligjeve, është votuar sot në lexim të dytë nga të gjithë deputetët në sallë.
Deputetët e Kuvendit sot kanë votuar përfundimisht krijimin e ushtrisë sipas ligjit, në pamundësi që transformimi i forcave të sigurisë të bëhet me ndryshime kushtetuese. Kjo sepse përfaqësuesit serbë në Kuvend kundërshtojnë kategorikisht formimin e ushtrisë.
Projektligji i parë, për të cilin votuan 106 pro dhe një abstenoi, ktheu Ministrinë e FSK-së në Ministri të Mbrojtës.
Ndërsa, deputetët votuan edhe Projektligjin për Forcën e Sigurisë.
Pas disa tentimeve të dështuara për ta formuar ushtrinë, së fundmi, Qeveria e Kosovës kishte inicuar transformimin e FSK-së në ushtri, shkruan Gazeta Express.
Kjo nismë erdhi pasi kryeministri Ramush Haradinaj tha se ka marrë përkrahjen nga Sekretari amerikan e Mbrojtjes, James Mattis, që ushtria të formohet sipas ligjit.
Ndërsa Kosova, që po bëhet me ushtri pas gati 11 vjetësh pavarësi, nuk e ka marrë përkrahjen nga të gjithë aleatët e saj,
Shumë shtete, përfshirë edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i kanë kërkuar Kosovës që të mos ngutet dhe të presë që ushtrinë ta formojë me ndryshime kushtetuese.