Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha sonte në Rubikon të Klan Kosova se kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti për vite me radhë ka akuzuar krerët e UÇK-së se po e bëjnë Gjykatën Speciale për ti dërguar shokët e tyre në burg, ndërsa tani mundohet për përfitime elektorale të dalë në mbrojtje të UÇK-së.
“I kanë akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin se po e bëjnë Gjykatën për ta shpëtuar vetveten. Se po e bëjnë Gjykatën për t’i dërguar shokët e tyre. Ata si Albin Kurti që i kanë thënë shko në Hagë Hashim. Jo njëherë por nja 40 herë i ka thënë në shkrim Hashim shko në Hagë. Sot është në Hagë Hashimi dhe unë nuk e shoh ku e gjen ai ftyrën me dalë edhe me thanë tash duhet me i mbrojtë”, tha Krasniqi.
Ai ka kritikuar ashpër edhe qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti për reagim tepër të dobët për aktakuzat e Speciales.
“Unë për vete jam i skandalizuar me sterilitetin e qeverisë së Avdullah Hotit. Ka mungesë totale të proaktivitetit. Thua ti se nuk ka ndodhur asgjë në Kosovë. Ne po flasim për njerëz të cilët përveç pjesës së rëndësishme, president i vendit ka qenë Hashim Thaçi, dy ish kryetarë Kuvendi, një deputet i tre mandateve dhe shef i Grupit Parlamentar. Dhe çka bënë Qeveria i shkruan katër fjali. Prej asaj dite ata mendojnë se e kanë kryer obligimin e tyre”, tha Krasniqi.