Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër Bedri Hamza, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, është pa rezultate.

Hamza në Rubikon në Klan Kosova ka thënë se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje.

Ai pati edhe një mesazh për Albin Kurtin.

“Hajde”, tha Hamza duke e ftuar Kurtin për zgjedhje.

“Kryetari i Partisë Demokratike e ka thënë qartë, ka propozuar edhe datë, ka propozuar muajin qershor si muaj optimal për të shkuar në zgjedhje”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka propozuar 9 qershorin si datën kur mund të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare.

Këtë propozim, Krasniqi e ka bërë në Pressing duke komentuar gatishmërinë e kryeministrit Albin Kurti, për t’ua dhënë opozitës votat e partisë së tij për ta shpërndarë kuvendin, rrjedhimisht të shkohet në zgjedhje të reja.

“Unë mendoj që ne duhet të merreshim vesh që të shkojmë në zgjedhje më 9 qershor. Koincidon me zgjedhjet parlamentare evropiane, zgjedhjet për Parlamentin Evropian mbahen nga 6 deri më 9 qershor. 9 qershori është e diel”, deklaroi Krasniqi.

SHPËRNDAJE