Nga Albin KURTI
Nëse do të zgjidhet ndonjë problem, para së gjithash, varet prej asaj se si shtrohet ai. Nëse problemi shtrohet gabimisht atëherë ai sigurisht që nuk do të mund të zgjidhet. Problemi mund të shtrohet edhe ashtu siç duhet, pra në mënyrë të drejtë, e megjithatë zgjidhja e tij të ngec për shkak të vështirësive të ndryshme. Edhe në rrugën e drejtë mund të bëhet e pamundur ecja për një kohë. Mirëpo, pa dyshim që problemi kurrsesi nuk do të mund të zgjidhet përderisa shtrohet gabimisht.
Pikërisht këtë gjë po mundohet ta bëjë kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, kur vjen puna te Kosova dhe shqiptarët. Ai po e shtron gabimisht këtë çështje, sepse atij nuk i leverdis zgjidhja e drejtë. Ashtu qysh Serbisë së Tadiqit i konvenon një Bosnjë jofunksionale, të cilën e kontrollon nëpërmjet Republikës Serbe atje, njësoj ajo e synon edhe një Kosovë të gjymtë, të cilin dëshiron ta kontrollojë përmes një entiteti të ngjashëm të saj te ne. Për Boris Tadiqin vetë problemi është zgjidhja.
Një Serbi e këtillë nuk është Serbi e re. Kjo është Serbia ashtu siç e kemi njohur gjithmonë. Shtet hegjemon dhe imperialist në këtë pjesë të Ballkanit. Mënyrat tjera nuk e tjetërsojnë qëllimin. Përkundrazi: pasioni i madh për qëllimin e njëjtë përkthehet në kompleksitetin e mënyrave të reja drejt po atij qëllimi.
Atëherë, cila është kjo mënyrë e sofistikuar e Boris Tadiqit? Si po e shtron ai gabimisht problemin për ta ndërlikuar atë edhe më shumë në emër të kërkimit të zgjidhjes? Boris Tadiqi po flet për konfliktin shqiptaro-serb. Madje, ai po thotë që ky është një problem e konflikt i vjetër qindravjeçar midis shqiptarëve e serbëve. Po ashtu, Boris Tadiqi deklaroi se ai është i interesuar që ta zgjidhë këtë – siç e quante ai – konflikt historik. Pra, në njërën anë, Boris Tadiqi po përpiqet që konfliktit t’ia japë karakterin etnik si identitet të konfliktit dhe, në anën tjetër, po e përshkruan këtë konflikt si historik, pra si një konflikt që ka qenë gjithmonë këtu, për mot të moteve dhe aq gjatë saqë disi kemi harruar edhe si nisi e kur nisi ai.
Me këto dy përcaktime të tij Tadiqi patjetër synon ta amnistojë regjimin e Milosheviqit si dhe të gjitha regjimet e Serbisë prejse ajo ekziston si shtet. Duke e cilësuar konfliktin si historikisht shqiptaro-serb, Tadiqi e vendos dallimin kombëtar ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve si thelb të konfliktit dhe jo programet e projektet anti-shqiptare të Serbisë.
Nëse deklarata e Tadiqit pranohet si tezë, atëherë përmes deduksionit të thjeshtë logjik shfajësohen Ilija Garashanini, Vasa Çubrilloviqi, Ivo Andriqi, Ivan Vukotiqi, Stevan Molevaci e deri te Dobrica Qosiqi, por lirohen nga përgjegjësia edhe Nikola Pashiqi, Petar e Aleksandar Karagjorgjeviqi, Milan Stojadinoviqi, Dragolub-Drazha Mihajloviqi, Aleksandar Rankoviqi e deri te Slobodan Milosheviqi. Sepse, sipas kësaj teze, shqiptarët e serbët luftuan meqenëse ishin të ndryshëm dhe dallimi kombëtar shkaktonte dhe mirëmbante konfliktin midis tyre. Kështu, 24 programet e akademikëve dhe burrështetasve të Serbisë për dëbimin dhe asimilimin e shqiptarëve dhe kolonizimin e trevave të banuara me shqiptarë dalin të jenë vetëm letërsi e dobët dhe e pafajshme (sic.).
Duke e kategorizuar keq problemin, Tadiqi e shtron gabueshëm atë. Kësisoj, ai e zbraz problemin nga politika dhe nga historia e problemit. Konflikti, sipas tij, nuk ka pasur shkaqe politike dhe nuk vjen prej aspiratave e apetiteve të Serbisë, të cilat, siç e dimë, akademia e politika i planifikonin, Kisha ortodokse serbe i bekonte, kurse ushtria e policia e Serbisë i zbatonin. Dhe, njëkohësisht, ai e zbraz problemin edhe nga historia.
Ai e quan konfliktin historik në një kuptim që problemit ia heq historinë, sepse predikati ‘historik’ përdoret në kuptimin që konflikti na paska qenë gjithnjë këtu, pra historikisht këtu, dhe se atë duhet ta konsiderojmë si një konstantë e ekuacionit e jo si një variabël të ekuacionit për zgjidhjen e problemit. Njëmend që vazhdimisht kishim konflikt përgjatë historisë sonë. por ama jo pse vazhdimisht ishim shqiptarë e serbë, por pse vazhdimisht Serbia si shtet kishte karakter dhe orientim nacional-shovinist e hegjemonist.
Emërtimi “konflikti historik shqiptaro-serb” me të njëjtën goditje e depolitizon dhe e dehistorizon këtë konflikt që ka histori mbi njëshekullore, por që kjo histori nuk është ajo e konfliktit shqiptaro-serb, por e atij shqiptaro-Serbi, pra ndërmjet shqiptarëve si popull e komb që rezistonin e luftonin për liri e barazi dhe Serbisë si shtet që i shtypte ata. Emërtimi që Boris Tadiqi ia mvesh problemit krijon përshtypjen e rrejshme që shqiptarët e serbët luftuan përtej dhe jashtë politikës e ekonomisë në një betejë të përjetshme të kulturave të tyre të veçanta, në të cilat ata janë të reduktueshëm si individë e kolektivitete.
Me këtë premisë që e zhvendos problemin prej historisë te natyra dhe prej politikës te kultura, pra me këtë natyralizim të historisë dhe kulturalizim të politikës që e bën Tadiqi, pajtohen edhe Ahtisaari e KFOR-i, të cilët me ideologjinë e tyre të multikulturalizmit nën konditat e neoliberalizimit predikojnë veçse tolerancë ndërmjet etnive (që përndryshe s’dinë të bëjnë tjetër gjë përveçse të vriten e masakrohen).
Gjithsesi emri që i vëmë problemit reflektohet në mundësinë dhe cilësinë e zgjidhjes së tij. Nëse konflikti është shqiptaro-serb dhe historikisht i tillë atëherë kërkimfalja e Tadiqit do të ishte një dhuratë që do të na e bënte Tadiqi e jo një obligim a borxh i tij. Ashtu qysh Tadiqi e shtron problemin, kërkimfalja e tij do të ishte nga pozita e përfaqësuesit të serbëve si popull dhe jo e kryetarit të Serbisë si shtet.
Një këso kërkimfalje do të ishte e kotë sepse, me këtë logjikë, ajo do të duhej të pasohej me kërkimfaljen e ndonjë presidenti a kryeministri tonë ndaj serbëve dhe s’do të pasohej me dëmshpërblimin për dëmet e okupimit dhe të luftës së Serbisë në Kosovë. Sipas shpjegimit të Boris Tadiqit (i cili, pra, njerëz si Ali Shukrinë dhe Basri Pllanën i sjell në kampin tonë të konfliktit ‘shqiptaro-serb’), zgjidhja e këtij konflikti do të duhej të ishte një kompromis, ku të dyja palët lëshojnë pe, sepse këtu s’ka fajtorë subjektivë: njëfarë identiteti gati i objektifikuar e natyralizuar kombëtar është fajtori trans-historik i historisë sonë konfliktuoze.
Boris Tadiqi me tezën e tij do kompromis pa histori, sepse do kompromis pa drejtësi. E, nëse dikush bash insiston për drejtësi për krimet e Serbisë nga e kaluara atëherë Boris Tadiqit i del në ndihmë EULEX-i, i cili thotë që të gjithë kanë bërë
krime lufte (prandaj sërish disi s’ka krime e kriminelë) dhe bashkërisht duhet të shikojmë përpara me sy drejtuar qiellit, ku vezullojnë yjet e BE-së e përfundi së cilëve po bisedojnë Edita me Borkon.