Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në kohën kur kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje, integrimi i Kosovës në institucionet Euro-Atlantike është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë.
Këto komente Kurti i bëri të premten në mbrëmje pritjen për shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës të organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë.
Siç thuhet në njoftimin nga zyra e Kryeministrit, në këtë festë të dyfishtë, duke e cilësuar si një nderë të madh që ndodhet aty për të festuar, Kurti u shpreh se Kosova dhe Irlanda kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësore që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës
Ai nënvizoi faktin që Irlanda ishte ndër vendet e para që njohu shtetin dhe shtetësinë tonë, qysh dymbëdhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë.
Kryeministri Kurti e cilësoi fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Irlandës si një nga bekimet e vitit 2024. Në më pak se dy muaj u realizuan dy vizita shtetërore bilaterale. Fillimisht vizita e Kryeministrit të Irlandës, Leo Varadkar në Prishtinë më 10 janar, dhe vizita e Kryeministrit Kurti në Dublin më 29 shkurt dhe 1 mars, thuhet në njoftim.
Në këto takime, kryeministri veçoi se, janë pajtuar që ta intensifikojnë bashkëpunimin në një numër fushash, sidomos në sektorin e teknologjisë, për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve.