Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me Ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, Ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Zëdhënësin e Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, priti në zyrën e tij Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava, Shefin e tij të kabinetit, Besim Mehmeti dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkësisë Islame, Ahmet Sadriun.
Pas takimit, Kryeministri në detyrë Kurti shtroi iftar për Myftiun Tërnava dhe anëtarët tjerë të delegacionit të Bashkësisë Islame. Atyre ju uroi iftar të këndshëm dhe agjërim sa më të lehtë përgjatë ditëve të mbetura.
Muaji i Ramazanit nuk është muaj i zakontë për besimtarët myslimanë. Në këtë muaj besimtarët sfidohen me agjërim duke u përmbajtuar nga ushqimi e pija gjatë ditës, derisa lartësojnë vyrtytet më të mira të tyre. Ai është muaj i devotshmërisë, përafrimit me Zotin, mirësjelles me njerëzit përreth dhe ndihmës për atë në nevojë.
Përballja me pandeminë COVID-19 e bën këtë Ramazan të veçantë. Ndonëse na është rikujtuar se sa krijesa të brishta jemi, e kemi kuptuar edhe një herë sa të fuqishëm mund të bëhemi përballë çdo sfide kur jemi të bashkuar në qëllim dhe solidarë me njëri-tjetrin. Për këtë, Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi Myftiun Tërnava për bashkëpunimin që institucionet fetare kanë pasur në luftimin dhe menaxhimin e pandemisë përmes thirrjeve të tyre që besimtarët ta ruajnë distancën fizike dhe të rrinë në shtëpitë e tyre në mënyrë që të pamundësohet shpërndarja e virusit Corona.
Rezultet e fundit janë shpresëdhënëse, por kjo nuk duhet të na relaksojë. Kujdesi dhe vëmendja duhet të vazhdojnë të jenë të shtuara.