Kryeministri Albin Kurti bashkë me disa prej ministrave të kabinetit të tij ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Kroaci. Kurti është takuar me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, ku edhe kanë nënshkruar disa marrëveshje për rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Temë diskutimi ka qenë edhe situata e sigurisë dhe sulmi terrorist i 29 nëntorit i ndodhur në Zubin Potok, gjë për të cilën Kurti e ka informuar kryeministrin Plenkoviq.

Bashkë me Kurtin në këtë vizitë në Kroaci janë edhe ministrat Hekuran Murati, Rozeta Hajdari dhe Xhelal Sveçla. Gjithashtu në fotografitë që Kurti ka publikuar shihet prezent edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Diskutuam marrëdhëniet tona të shkëlqyera dypalëshe, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, kulturor, social dhe të sigurisë, të cilat do të jenë në fokus sot me nënshkrimin e gjashtë marrëveshjeve të reja që synojnë lehtësimin e lidhjeve më të forta. Unë gjithashtu e informova kryeministrin Plenkoviq për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist të 29 nëntorit”, ka shkruar Kurit në “X”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në dy vizitat e fundit të saj në Kroaci s’kishte pranuar të shoqërohej nga ambasadori Martin Berishaj, duke sugjeruar se Berishaj do të ishte mirë të largohej nga pozita e ambasadorit derisa të sqarohet rasti ku ai përfolet se është i përfshirë./Express/

SHPËRNDAJE