Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që përkohësisht ta pezullojë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Zyra e Kryeministrit ka lëshuar një komunikatë, nëpërmjet së cilës ka njoftuar edhe se Kurti ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen në emër të Qeverisë në lidhje me kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit Nr. 24/2020 të datës 30.04.2020.

“Qeveria mbështeti kërkesën e deputetëve për vendosjen e masës së përkohshme dhe vlerësoi vendimin e Gjykatës për aprovimin e kërkesës së tyre për pezullimin e dekretit të Presidentit, sepse parashtruesit kanë dorëzuar një kërkesë e cila është prima facie e pranueshme si dhe është substancialisht e arsyetuar rreth pretendimeve përkitazi me dispozitat kushtetuese të saktësuara në kërkesë”, thuhet në komunikatë.

“Qeveria konsideron që vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe gjithashtu i shërben administrimit të drejtësisë. Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, thekson komunikata.

Zyra e Kryeministrit po ashtu ka publikuar përgjigjen e Kurtit për Gjykatën Kushtetuese, për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit.

SHPËRNDAJE