Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e kandidatit për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajt, për t’u ballafaquar në debat.
Kurti ka thënë se ai s’është në garë me kandidatët e tjerë.
“Është e vërtetë që në Kosovë ka një garë të ashpër mes dy partive të vjetra. Kjo garë është për vendin e dytë. Në atë garë, as unë e as zonja presidente, as s’kemi çka bëjmë as nuk kemi çka kërkojmë”, tha Kurti.
Sipas tij, debatet janë metoda të vjetra, sepse ai nuk është në garë për vendin e parë, por të tjerët janë në garë për vendin e dytë.
“Me metodat e vjetra nuk mund të bëhen zbulime të reja për këtë vit. Nuk është situatë e një shumësie partishë të barabarta të cilët mund të synojnë vendin e parë. Kjo tashmë është e qartë edhe sa i përket shumicës dërmuese. Ne nuk garojmë për vendin e parë. Ne me 14 shkurt duam të vulosim, vërtetojmë e dokumentojmë që jemi shumicë dërmuese në Kuvend”, tha Kurti.
“Ato qasjet e garave mes kandidatëve për kryeministra i përkasin të së kaluarës. Ata po flasin me mënyra të së kaluarës sepse kanë ngecur aty e duan të na kthejnë edhe neve atje”, tha ai.
Ndryshe, Hoxhaj e ka ftuar Albin Kurtin në 5 debate publike.
“Sot i bëj thirrje Albin Kurtit që t’i kemi 5 debate. Debate serioze. Debate informuese. Ashtu që qytetarëve t’ia ofrojmë informacionin dhe elementet e nevojshme për ta marrë vendimin e tyre. I bëj thirrje Albin Kurtit që ta pranojë këtë tani. Kudo që ai dëshiron. Me çfarë kushte që ai dëshiron. Me kusht që i respektojmë rregullat bazike të angazhimit demokratik. Me kusht që i respektojmë proceset demokratike”, kishte thënë Hoxhaj.