Pas fjalimit të numrit një të Federatës së Futbollit të Serbisë, fjalën e mori zyrtari ligjor i UEFA’s, anglezi, Alasdair Bell
Tomislav Karadzic, në fjalimin e tij në Kongresin e UEFA’s, deklaroi se Serbia është kundër pranimit të Kosovës pasi sipas tij, Kosova është shtet i vetëshpallur dhe nuk i plotëson kushtet e pranimit.
Menjëherë pas këtyre deklaratave, reagoi zyrtari ligjor i UEFA’s, anglezi, Alasdair Bell.
Pas dështimit për ndryshimin e statusit, Bell bëri argumentin brilant ligjor në favor të pranimit të Kosovës. Ai rrëzoi të gjitha pengesat ligjore kundrejt Kosovës e edhe akuzat e Serbisë, e veçanërisht Zvicrës duke i hapur rrugë pranimit të Kosovës.
“Kombet e Bashkuara nuk kanë kompetencë për t’i njohur shtetet, por shtetet i njohin shtetet. Nëse nuk je anëtar i OKB nuk do të thotë se nuk je shtet. Katër kriteret e të qenit shtet janë përcaktimi i territorit, popullata, qeveria dhe aftësia për të arritur marrëveshje me të tjerët”, ishte deklarata e zyrtarit të UEFA’s Alasdair Bell.
Pas kësaj deklarate, u vendos që sërish të votohet për pranimin e Kosovës, ku mori 28 vota, aq sa edhe nevojiteshin për t’u pranuar në UEFA.