Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, e nisi sot konferencën për media nga selia e partisë duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë politike të presidentit historik, Ibrahim Rugovës.
“Përshëndetje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia e lirisë, pavarësisë, demokracisë themelet e së cilës i vendosi Ibrahim Rugova e ku zot shtëpie, dikur fizikisht e përgjithmonë shpirtërisht është Ibrahim Rugova.” Nga “shtëpia e demokracisë”,
Mustafa kritikoi ashpër qeverisjen e Vetëvendosjes (VV), duke e akuzuar për dështime në katër vitet e fundit. Duke komentuar një sondazh të së enjtes, ai shtoi se Kosova nuk mund të përparojë përmes statistikave të rreme dhe lojërave shpërblyese online, por kërkon lidership që fokusohet në zgjidhje konkrete.
“Asnjë mashtrim i VV-së nuk mund të fshehë dështimet e katër viteve të fundit. Kosovarët meritojnë lidership që fokusohet në zgjidhje reale, jo ne shifra të rreme të lojërave shpërblyese ne internet. E ardhmja e Kosovës është shumë e rëndësishme e nuk i meriton këto lojëra te VV-së. NDRYSHIMI PO VJEN PËR KOSOVËN!”, ka deklaruar ai.