Këshilli i Ekspertëve për Bujqësi dhe Zhvillim Rural i LDK-së, shpreh shqetësimin për gjendjen e krijuar me prodhuesit e patates në Kosovë. MBPZHR po merret me probleme vetëm kur po has në reagime të bujqve, siç ishte rasti më herët me prodhuesit e rrushit. Tani po përsëritet e njëjta situatë edhe me prodhuesit e patates. Kjo tregon për mungesën e politikave afatgjate dhe të qëndrueshme për sektorin e bujqësisë nga ana e Qeverisë Thaçi.
Çmimet e larta referente prej 26 cent për kg për patate janë vendosur nga ana e Shqipërisë qysh në vjeshtë të vitit 2011. Kjo ka bërë që për gjithë muajt e dimrit, prodhuesit e patates nga Kosova të jenë jokonkurent në tregun e Shqipërisë. Ulja e çmimeve referent në 14 cent për kg që u vendos këto ditë është tepër e vonshme. Kjo pasi koha e shitjes së patateve të vjetra është shumë e shkurt, ngase për disa javë këto patate mund te jenë të papërdorshme për shkak të motit të ngrohtë. Po ashtu, tregu i Shqipërisë së shpejti do të mbushet me patate të reja që kultivohen në klimën e ngrohtë bregdetare të Shqipërisë, dhe se patatet e prodhuesve kosovarë do të hedhen në mbeturina.
Është tepër e dëmshme kjo qaje e Ministrisë ndaj prodhuesve të patates, kur dihet se ky sektor është ndër më premtuesit për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë. Me këto politika dhe këtë qasje neglizhente të Ministrisë, është vënë në pikëpyetje prodhimi i mëtejshëm nga bujqit. Humbjet që u janë shkaktuar bujqve sivjet nga neglizhenca e Ministrisë për të reaguar me kohë ndaj çmimeve larta referente do të duhen kohë për tu kompensuar.
LDK apelon që Ministria të mos i neglizhoj kërkesat e fermerëve dhe së bashku me ta të shqyrtojnë zgjedhjen e problemeve të tyre me kohë.
LDK kërkon që Ministria të marrë përgjegjësinë dhe të kompensoi humbjet e shkaktuara ndaj bujqve për shkak të neglizhencës saj në heqjen e çmimeve referente.
LDK kërkon që sektori i bujqësisë të shikohet me prioritet.
LDK kërkon që sa më parë të bëhet ulja e TVSH-së për produkte dhe inpute bujqësore, pasi kjo do të kishte efekt të vogël të drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ndërkohë që do të shumëfishonte prodhimin bujqësorë. Kjo do të bënte që vlera neto në buxhetin e shtetit nga ulja e tillë e TVSH-së të ishte pozitive, në ndërkohë që do të rritej punësimi dhe të ardhurat për shumë të papunë në zonat rurale dhe në gjithë zingjirin prodhues dhe tregtar për produkte bujqësore. BS