NGA FJALIMI I LIBURN ALIUT NË KUVENDIN E KOSOVËS në lidhje me raportin e Këshillit për Trashëgimi Kulturore.
Deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do ta votojnë raportin e punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për periudhën mars 2009 deri dhjetor 2010. Do ta votojmë edhe përkundër vërejtjeve që do të parashtrojë në vazhdim.
Të nderuar deputetë,
Vlerësojmë punën e bërë edhe pse konsiderojmë se do të duhej të bëhej më tepër si dhe rradhitja e prioriteteve për këtë këshill të bëhet në përputhje me nevojat dhe problemet konkrete që sot ballafaqohet trashëgimia kulturore e Kosovës si pasojë e indiferencës dhe pandjeshmërisë së institucioneve në lidhje me trashëgiminë kulturore si një ndër elementet kryesore të zhvillimit kulturor.
Në raport shohim një liste të aktiviteteve e që ka bërë ky këshill. Kjo listë e aktiviteteve përbëhet nga problemet që këshilli ka me ministrinë, nga pjesëmarrjet në konferenca të ndryshme, vizita nëpër vende të ndryshme dhe dominohet nga këto të fundit. Ne kemi nevojë që ta prezantojmë trashëgiminë kulturore të Kosovës nëpër konferenca e seminare pasi në opinionin botëror kudo trashëgimia kulturore është trajtuar nga prizmi i kompromiseve të bëra në negociata në Vjenë. Por ky prezantim do të duhej të paraprihej nga një trajtim serioz i trashëgimisë kulturore ortodokse mesjetare në Kosovë e cila gabimisht dhe me dashakeqësi quhet serbe. Jam i bindur që ekspertet në këtë Këshill e kanë të qartë pasojën e trajtimit të gabuar të trashëgimisë që e bën Kushtetuta e Kosovës dhe Pakoja e Ahtisarit, pasojë kjo që synon të rezultojë me deformimin e historisë mesjetare dhe shkëputjen e autoktonisë së shqiptarëve në Kosovë. Prandaj nga ky këshill do të duhej të prisnim trajtim profesional të trashëgimisë mesjetare ortodokse duke e liruar atë nga etiketimet qëllim këqija e jo largim dhe tërheqje nga kjo çështje duke e konsideruar si fakt të kryer në negociata dhe me arsyetimin se s’kemi çfarë të bëjmë. Studimi dhe trajtimi shkencor nuk njeh negociata dhe nuk njeh kompromise prandaj ky këshill do të duhej të argumentonte të kundërtën e marrëzive të bëra në Vjenë. Ta çlirojë trashëgiminë kulturore të Kosovës nga kthetrat e shovinizmit dhe kompromiset e bëra në Vjenë.
Do të duhej shumë që në raport të shihnim aktivitete që senzibilizojnë dhe e venë në trajtim çështjen e artifakteve të Kosovës të vjedhura nga pushteti serb. Sot ato nuk trajtohen fare askund. Do të duhej të shihnim së paku një letër drejtuar Komisionit ndërkombëtar të museumeve në lidhje me keto artefakte që janë pasuri e Kosovës. Duhet të behët presion edhe mbi qeverinë dhe kudo për këtë problem.
Çështje tjetër që do të duhej ta shihnim në këtë raport është reagimi në lidhje me shkatërrimin e qytetit antik të zbuluar me rastin e punimeve në autostradë. Në fshatin Vlashnje afër Prizrenit u zbulua vendbanim antik e i cili me arrogancën më të madhe u shkatërrua dhe u mbulua nga punuesit e autostradës. Kjo punë heshtet. Natyrisht që për këtë problem hesht qeveria, pasi është pjesë e saj dhe nuk ka fare ndjeshmëri për vlerat e trashëgimisë kulturore, por kjo çështje duhet trajtuar me urgjencë nga këshilli gjë që shpresoj ta kenë bëre apo ta bëjnë së shpejti dhe reagimi i tyre të mos kufizohet vetëm me shkresën zyrtare që i adresohet qeverisë në përgjithësi për monitorim të punimeve në autostradë në lidhje me trashëgiminë.
Tek pjesa e raportit ku flitet për bashkëpunimin me institucionet do të donim dhe do të duhej të shihej qëndrimi dhe të flitej për raportin me ashtuquajturin RIK e që i bie nga gjuha angleze të quhet Komisioni për implementim të rindërtimeve e që s’është gjë tjetër pos një trupi të përbërë nga përfaqësues të MKRS-së, Kishës ortodokse serbe në Beograd dhe Institutit të Beogradit për mbrojtjen e monumenteve. Ky trup i krijuar para shpalljes së pavarësisë sot është ende i gjallë dhe funksionon në projektin e qeverisë që njihet si PCDK e që nga gjuha angleze i bie të quhet Promovimi i Diversitetit Kulturor në Kosovë, e ku njëra nga komponentat e këtij projekti është pikërisht RIK-u. Përderisa për komponenetet tjera të këtij projekti mund të gjesh informacion e që kanë të bëjnë me edukimin, zhvillimin e kapaciteteve dhe zhvillimin lokal, kur bëhet fjalë për RIK-un nuk mund të gjesh asgjë. Kjo gjë nuk duhet mbajtur e fshehtë. Serbia edhe këtu i ka zgjate ekstremitetet e saj në këtë projekt të qeverisë si kudo gjithandej nëpër Kosovë. Dhe kjo duhet luftuar dhe këtë do të duhej ta bënte këshilli pasi ata janë ekspertë të pavarur sesa për qeverinë, ne e dimë që ajo nuk i ka problem këto depërtime gjë që po e dëshmon përditë me negociata e kompromise.
Këshilli do të duhej të mos presë nga Ministria, pasi në raport thuhet se nuk i është dorëzuar lista e monumenteve të mbrojtura në Kosovë, por ta bëjë punën e tij pasi po prirti vazhdimisht nga ministria atëherë do të bie në nivelin që nuk përket me kompetencat që ka.
Këshilli duhet të kompletohet plotësisht pasi tani nuk është i kompletuar më stafin përkatës.
Këshilli duhet të promovojë trashëgiminë kulturore të punojë në inventarizim pasi ka shumë elemente tjera që nuk varen nga ministria. Të hartojë planin për shpalljen e monumenteve të mbrojtura pasi një gjë e tillë nuk ka ndodhë te ne asnjëherë nga paslufta.
Duhet të bëjë presion mbi MKRS pasi në mungesë të këtij presioni do të vazhdojë që buxheti i ndarë për projekte të trashëgimisë të përfundojë ne lëmi tjera siç pati ndodhur që Buxheti i ndarë për turizmin rural të shpenzohet për sfilata mode.
Shpresojmë që në të ardhmen këshilli ta bëj punën e tij tamam ashtu si do të duhej dhe të kemi rezultate.