Xhudistja më e mirë kosovare, Majlinda Kelmendi, është rikthyer në rrugën e sukseseve, pas disa rezultateve zhgënjyese në garat e muajve të fundit.
Ajo në garat e Kupës së Botës-Kategoria A, që u mbajt këtë fundjavë në Romë, arriti të fitojë medaljen e artë. Ky sukses njëherësh i solli Majlindës edhe 100 pikë të reja olimpike në përpjekjen e saj për të siguruare normën olimpike. Në këtë garë Majlinda u paraqit si garuese e Shqipërisë, kurse në kategorinë 52 kilogramë ajo shkëlqeu, ndonëse në grup e kishte rumunen Andrea Çitu, e cila llogaritej favorite në këtë garë. Në rrugën deri te medalja e artë, Majlinda mposhti francezen Marine Riçard, pastaj rumunen Andrea Çitu, në gjysmëfinale francezen Luçile Duport dhe në finale polaken Marta Kuban. Lufta për normën olimpike do të vazhdojë deri më 1 maj, kurse deri atëherë do të zhvillohen edhe 15 gara. Sipas trajnerit Driton Kuka, Majlinda ka nevojë të fitojë vetëm edhe dy medalje (çfarëdo qofshin ato) për ta arritur normën olimpike.