SHBA, Britania dhe Franca me 11o reketa për fillim kanë nisur të sulmojnë Libinë pas dhënies së dritës jeshile nga samiti ndërkombëtar i zhvilluar në Paris.
(I plotësuar) Mbi 110 raketa janë qëlluar nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara, kanë deklaruar burime zyrtare nga Pentagoni.
Ndërkohë, kryeministri britanik David Cameron ka konfirmuar se avionët britanikë kanë hyrë në veprim në Libi.
Më herët, avionët francezë shkatërruan disa automjete ushtarake libike. Sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, avionët perëndimorë kanë bombarduar disa objektiva në kryeqytetin Tripoli.
Presidenti amerikan Barack Obama, duke folur nga Brazili, tha se SHBA po ndërmerrnin një “aksion ushtarak të kufizuar” si pjesë e “aleancës ndërkombëtare”.
“Ne nuk mund të rrijmë duarkryq kur një tiran u thot qytetarëve të tij se nuk do të ketë mëshirë”, tha Obama, i cili përsëriti se SHBA nuk do të fusin trupa tokësore.
Ndërkohë, një nëndetëse britanike ka qëlluar një seri raketash ndaj disa objektivave ajrorë mbrojtës të Libisë, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes.