Real – Barcelona 0:2 (0:0)
Stadiumi Santiago Bernabeu, Madrid.
Shikues: 80.000.
Gjyqtarë: Wolfgang Stark.
Shënues: Messi (77’ e 87’).
Kartonat e verdhë: Arbeloa, Ramos, Adebayor – Alves, Mascherano.
Kartoni i kuq: Pepe (Real Madrid).
Real: Casillas, Arbeloa, Ramos, Albiol, Marcelo, Diarra, Pepe, Alonso, Özil (Adebayor 46’), Di Maria dhe Ronaldo.
Barcelona: Valdes, Dani Alves, Mascherano, Piqué, Puyol, Busquets, Xavi, Keita, Villa (Roberto 90’) , Messi dhe Pedro (Afellay 71’).
Barcelona shënoi fitore me rezultat 2:0 në Santiago Bernabeu në ballafaqim me Real Madridin, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Champions League në futboll. Reali me gjithë dëshirën që të mposhtë Barcelonën, ishte mision i pamundur dhe ka komplikuar së tepërmi punët për ndeshjen e kthimit. Trajneri katalunas, Pep Guardiola, sigurisht se është i lumtur, për faktin se ka nxjerrë një rezultat pozitiv që e bënë më të qetë për ndeshjen e radhës, ndërsa Jose Mourinho pos dëshpërimit që pati në minutën e 61-të kur ndëshkohet me karton të kuq, pësoi edhe një goditje të rëndë me këtë humbje. Fundja kanë mbetur edhe 90 minuta lojë dhe gjithçka është e hapur e mundshme. Në fakt, Real Madridi plotë 29 minuta luajti pa një futbollist, pasi që në minutën e 61-të është ndëshkuar me karton të kuq Pepe, pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Alvesit. Barcelona për mrekulli ka shfrytëzuar këtë epërsi numerike në fushë mbase edhe i frytshëm ka qenë aktivizimi i Afellayt në minutën e 71-të në vend të Pedros. Katalunasit u kthyen me rezultat pozitiv që ua lehtëson shumë punën për ballafaqimin e kthimit që zhvillohet pas një jave në Camp Nou. Pjesa e parë ka qenë me rivalitet dhe me posedim të topit më shumë nga ana e Barcelonës. Në fakt, nuk munguan edhe simulimet sidomos nga futbollistët katalunas. Edhe tensionet ishin evidente në disa raste sidomos me përfundimin e pjesës së parë, duke shkuar futbollistët në teshatore gati sa qëruan hesapet ndërmjet vete. Në këtë rrëmujë që ndodhi ka pësuar portieri zëvendësues i Barcelonës, Pinto, i cili është ndëshkuar me karton të kuq. Në minutën e 25-të, Barcelona ka mundur lehtë të shënoi golin e epërsisë, sikurse Xavi të ishte më i shkathët nga rreth 12-13 metra, por gjuajtjen e tij më vetëmohim e ka mbrojtur portieri më i mirë në botë, Casillas. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Cristiano Ronaldo papritur nga rreth 35 metra ka dërguar gjuajtje të fuqishme, sa gati mposhti Barcelonën, por portieri Valdes mezi ka ndalur topin. Në pjesën e dytë pikërisht në minutën e 50-të, Ronaldo ka kërcënuar seriozisht portën e skuadrës mysafire, por gjuajtja e tij është bllokuar nga një mbrojtës. Reali nga minuta e 61-të mbeti pa një futbollist në fushë. Pepe ka ndërhyrë shumë ashpër ndaj Dani Alvesit, ndërsa gjyqtari nuk e ka falur për këtë start dhe e ka ndëshkuar direkt me karton të kuq. Pas kësaj me karton të kuq ndëshkohet edhe trajneri Jose Mourinho pas një reagimit dhe kjo në masë ka tronditur Madridin. Ronaldo në minutën e 65-të ka gjuajtur me kokë, por larg mbi portë. Në minutën e 67-të, Xavi me dinakëri e ka gjetur David Villën në 16-sh, i cili gjuajti bukur, mezi ka mbrojtur portieri Casillas, topi deri te Pedro, por gjuajtja e tij shkoi jashtë portës për fat të mbretërve. Në minutën e 77-të, Afellay në kontaktin e parë me topin, për bukuri ka depërtuar në 16-shin e Realit, duke harkuar deri te mjeshtëri i golave Messi që nuk ishte mbuluar si duhet nga Marcelo dhe 0:1. Messi se Messi në minutën e 87-të ka bërë një sllallom në mbrojtjen e mbretërve dhe me gjuajtje mjeshtërore ka mposhtur edhe Casillasin dhe 0:2. Messi poshtëroi Real Madridin dhe me një këmbë e dërgon në finale skuadrën e tij.