“Kaçanikut i raft pika, nuk e din se çka është frika, nand sahat tuj therr me thika, hej more hej”, është refreni aq i dashur dhe i kënduar shpesh nga shqiptarët në ahengje të ndryshme apo në ambiente familjare, duke kujtuar kështu me krenari Betejën e Grykës së Kaçanikut dhe të qenit shqiptarë.

Si befasi për opinionin erdhi kur kjo këngë u këndua nga ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci në tubimin e fushatës së Vetëvendosjes në Kaçanik, raporton Ekonomia Online.

Madje, refreni i kënduar nga Nagavci u shpërnda në rrjete sociale.

Gjatë vënies së gurthemelit të shkollës në lagjen “Prishtina e Re”, Nagavci është pyetur se a i ka rënë “pishman” që ka kënduar në fushatë.

“Për jashtë temës, jashtë orarit të punës flasim për temat që nuk kanë të bëjnë me punën e ministres. Këtu jam në përgjegjësin time si ministre e Arsimit”, ka thënë ajo duke iu shmangur përgjigjes lidhur me këndimin e saj në këtë tubim.

Beteja e Grykës së Kaçanikut u zhvillua nga 30 Prill deri më 1 Maj të vitit 1910. Kjo betejë ishte ndërmjet kryengritësve shqiptarë të komanduar nga Idriz Seferi dhe ushtrisë osmane të komanduar nga Shefqet Turgut Pasha.

Në këtë betejë ushtria osmane pësoi humbje deri në 2000 ushtarë, kurse humbjet e Idriz Seferit ishin të vogla.

Sipas burimeve historike ushtria osmane kishte angazhuar rreth 9 mijë këmbësorë, 2 batalione të artilerisë dhe repartet e kalorësisë. Turgut Pasha me artileri rrafshoi për toke fshatrat përreth Grykës së Kaçanikut.

Luftimet më të rrepta u zhvilluan prej 30 prillit deri më 2 maj 1910, kur në Shkallë të Kaçanikut luftohej fyt për fyti dhe mbeten shumë të vrarë.

SHPËRNDAJE